Në një darkë ku ishin të pranishëm deputetë të rinj e të vjetër, përveç falenderimeve për ata që nuk do të jenë më në parlament në mandatin e 3 qeverisës, Kryeministri Edi Rama prezantoi disa prej objektivave kryesore për 4 vitet e ardhshme.

Tani nis njëkohësisht, në tre hapësirat e detyrave tona, puna e madhe për dy fitore të tjera, shumë të rëndësishme, zgjedhjet vendore të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025. Çfarë do të mbledhim përditë nga sot e deri atëherë, do të korrim në ditën kur populli do të ndajë të njomët nga të thatët. Ashtu siç ishte fitorja e këtyre zgjedhjeve, ajo më e vështira sipas meje, ashtu dhe mandati i tretë do të jetë më i vështiri në aspektin e arritjes së rikonfirmit të PS, si forcë qeverisëse 4 vjet nga sot. Por më shumë se kaq. Mandati i tretë do të jetë një sfidë shumë e madhe në vetvete. Sepse nëse në të parin e nxorëm Shqipërinë nga gropa ku e zhytën rivalët tanë, në të dytin vumë themele të qëndrueshme rritjeje në çdo sektor, ky i treti do të jetë mandati i ngjitjes më lart, drejt asaj maje ku e duam Shqipërinë në fund të kësaj dekade”.

Rama ishte i prerë me socialistët, kur tha se “duhet të jetë e qartë për të gjithë anëtarësinë, por edhe për të gjithë ata që na kanë zgjedhur apo jo, se kushdo që e ka në ballë PS dhe ekspozohet para drejtësisë si përfitues, faji është i tij, por turpi është i gjithëve ne nëse nuk vendosim vijën e kuqe duke mos harruar për asnjë çast dhe duke bërë me dije menjëherë kur është nevoja se kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt. Kjo familje nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi flamurin e saj, por mban përgjegjësi për sa drejt reagon ndaj individit në fjalë duke u distancuar prej aktit të tij dhe atij vetë kur në mes hyn vetë drejtësia“.

Më tej Rama kërkoi nga socialistët që të mos presin vetëm nga SPAK, por të jenë hulmtues faktesh e provash për të nxjerr në pah gjërat që nuk shkojnë.

“Ne nuk duhet dhe nuk do të presim që SPAK të merret me çdo vatër, me çdo individ të korruptuar në sistemin e institucioneve të pushtetit qendror apo vendor. Do të jemi kërkues, do të jemi hulumtues, do të jemi grumbullues faktesh dhe provash proaktive, duke i veshur një armaturë edhe me ligj të veçantë, një ligj më vete platformës së Bashkëqeverisjes dhe të ndërveprimit dixhital brenda sistemit të institucioneve, agjencive dhe drejtorive të ekzekutivit, ne mund të nxjerrim në pah dhe në kohë reale të gjitha pikat ku ngecin, bllokohen”.

Rama konfirmon në detyrë Ballën dhe Spiropalin

Kryeministri Edi Rama konfirmoi mbrëmjen e kësaj të premteje se Taulant Balla do të vijojë të mbajë detyrën si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ashtu sikurse edhe Elisa Spiropali, si Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në një darkë të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me deputetë të rinj e të vjetër, Rama i falenderoi publikisht për punën dhe shprehu besimin se do të jenë një shtyllë e fortë në mandatin e tretë.

“Sot është dita për t’i falenderuar posaçërisht të gjithë deputetët, drejtuesit e komisioneve, anëtarët e kryesisë së grupit dhe posaçërisht, Kryetarin e grupit tonë parlamentar, si dhe Ministren tonë të Marrëdhënieve me parlamentin. Taulanti ka punuar me përkushtim, duke drejtuar grupin me aftësi dhe me këmbëngulje të spikatur. Për hir të së vërtetës edhe në ditë tejet të vështira, po ashtu edhe Elisa ka qenë e përkushtuar në rolin e saj aspak të lehtë, duke lehtësuar punën e  qeverisë me parlamentin, si dhe duke e përfaqësuar qeverinë me aftësi dhe me efikasitet në debatet parlamentare. Besoj që, që të dy meritojnë një falenderim të veçantë, së bashku me konfirmimin e tyre në detyrë, për mandatin e tretë. Dhe do ta kenë të plotë mbështetjen tonë”, tha Rama.

Përbërja e qeverisë së re pritet të bëhet publike javën e ardhshme.

“Nguleni mirë në kokë”, Rama-socialistëve: Duhet të përgatitemi për vendime jo të lehta…

Kryeministri Edi Rama ishte i prerë me socialistët kur tha se në 4 vitet e ardhshme, skuadra drejtuese e vendit duhet të përgatitet për operacione të vështira dhe vendime jo të lehta. Ai tha se të gjithë duhet të jenë të angazhuar për të luftuar nepotizmin e klientelizmin.

“Kjo që është sot këtu është skuadra drejtuese e PS, e vendit, në 4 vitet e ardhshme, kjo është skuadra që duhet t’u japë drejtim shumë punëve, që duhet t’i përgjigjet çdo qytetari në nevojë, dhe si e tillë kjo skuadër nuk mund të jetë në lartësinë e një sfide të re. Nëse nuk lufton përditë me sjelljet e vjetra brenda vetes së vet. Duhet të përgatitemi të gjithë për operacione të reja dhe të vështira dhe për vendime jo të lehta, për punë aspak të lehta. Duhet të jenë të gjithë të gatshëm për të hequr dorë nga lojëra të vjetra dhe të dëmshme individuale, në dëm të qëllimeve, në dëm të punës, në dëm të imazhit të PS.  Duhet të jenë të gjithë të angazhuar që jo vetëm ta luftojmë, por secili ta luftojë nepotizmin dhe klientelizmin. Duhet të gjithë ta ngulim mirë në kokë, që ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë, apo deri dhe makutër që e mbajnë dorën në xhepin e qytetarëve, ndërhyrjet për të sistemuar në vende të caktuar pune, njerëz që nuk e meritojnë të punojnë në shtetin shqiptar, për të përfaqësuar PS, apo ndërhyrje për të ndikuar në procese tenderash, dhe vendimmarrjesh me natyrë materiale janë armiqësore me qëllimet e të gjithë atyre që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm për të drejtuar vendin”.

Janë të papajtueshme me rritje e domosdoshme morale të kësaj force të madhe të shqiptarëve, janë të neveritshme në raport me nderin e jashtëzakonshëm, të përfaqësimit të një populli të tërë, në rrugën drejt së ardhmes, në nivelin më të lartë të përfaqësimit, që ka një popull, Kuvendi. Janë tradhtia më e madhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi.

“Duhet të jemi tejet të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike”, Rama: Balta e opozitës nuk do ndalet, por…

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek marrëdhënia që qeveria synon të ketë në 4 vitet e ardhshme me opozitën. Teksa përsëriti se dora e bashkëpunimit do të jetë e shtrirë, Kryeministri kërkoi nga socialistët që përtej baltës që opozita do të hedhë, të jenë të vëmendshëm kur ka akuza që mund të jenë të vërteta.

“Me aq pak sa kemi mundur të shohim nuk duket që PD ka nxjerrë ndonjë mësim nga humbja e pestë radhazi, i njëjti avaz duket se mund të vazhdojë drejt humbjes së gjatë dhe të shtatë radhazi. Kjo do të thotë se prodhimi i baltës nuk do të ndalet, mund dhe të rritet madje. Akuzat dhe denoncimet në adresën e kujtdo prej nesh që është apo do të vihet në shënjestër nuk kanë për të reshtur. Ne duhet të jemi tejet të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike, jo për të reaguar në të njëjtën monedhë, as për të rënë pre e vorbullës së zymtë ku për fat të keq kemi rënë për një kohë të gjatë, e cila i ka neveritur shqiptarët për politikën e ditës duke bërë që të na fusin të gjithëve në të njëjtin thes, por duhet të jemi të vëmendshëm për të verifikuar çdo gjë që ata kanë për të thënë dhe për të ndarë me objektivitet shumicën dërrmuese të dokrrave katran me bojë, në ato raste kur mundet që akuza mund të ketë një bazë sado të vogël faktike, në këtë pikë nuk do të ketë asnjë kompromis për askënd dhe asnjë arsye. Sepse çdo kompromis do të thotë që me duart tona të përgatisim disfatën e mandatit të tretë”.

“Mandati 3 s’duhet t’u ngjajë dy të parëve as në sallën e kuvendit, ku opozita mund të bëjë çfarë të dojë, por ne do të bëjmë çfarë duhet. Duhet të shtyjmë përpara pa humbur kohë reformat dhe ligjet që do të nevojiten në funksion të njerëzve të këtij vendi dhe ambicies sonë për Shqipërinë e 2030. Dora jonë e bashkëpunimit me PD do të jetë e shtrirë pa kushte, pavarësisht nga sjellja, retorika apo nga veprimet e rivalëve tanë. Konflikti verbal nuk do të jetë më kryefjala e jetës politike dhe parlamentare, prandaj ne duhet medoemos që ne të ndryshojmë sa të mundemi në këtë drejtim, sado që ata t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë, në vrimën që iu është bërë gropa, ku kanë rënë vetë me këmbët e tyre plot pesë herë me radhë. Edhe kjo është shumë e lehtë ta thuash, është shumë më e vështirë ta bësh, por unë dua ta them në sy të atyre që na ndjekin se kush do ta kalojë cakun etik në pronësinë publike, në adresë të rivalëve tanë, kush do të japë shembull të keq për publikun apo në komisionin parlamentar, duke rënë pre e provokimeve të tyre, shpesh ekstreme, kush do të merret me politikë për konflikt në teatrin e ditës dhe nuk do të angazhohet me temat dhe çështjet që iu interesojnë njerëzve, grupet e interesit të komuniteteve dhe Shqipërisë, do të jetë shqetësim jo për opozitën, po për grupin dhe mua”.

Rama tha më tej se, ndonëse PD futet në parlament me një “dhëmballë të prishur”, përgjatë këtij mandati lufta nuk duhet të jetë me PD, por me problemet e vendit dhe me hallet e shqiptarëve, “ndërsa me opozitën kemi vetëm betejën politike”.

“Fatkeqësisht PD do të vijë në parlamentin e ri me një dhëmballë të prishur, të cilën as nuk ka kurajo ta shkulë, as nuk ka vullnet ta qetësojë. Por kjo nuk është asnjë arsye për t’u marrë me dhëmballën e saj, as një motiv për t’iu gëzuar shpërfytyrimit të PD për shkak të infektimit të krejt fytyrës së saj nga ajo dhëmballë, duke fërkuar duart dhe duke fjetur mendjen se për sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur kohësh dhe pavarësisht se kemi lënë një përshtypje shpesh herë të ndryshme, ne nuk duhet ta kemi në asnjë mënyrë përgjatë këtij mandati, luftën tonë me PD. Në fund të këtij mandati, më shumë se asnjëherë më parë, ne nuk do të vlerësohemi për çfarë i thamë e çfarë i bëmë PD, por do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë këto 4 vjet dhe për sa do i jemi afruar marrjes ku ky vend meriton të jetë në fund të kësaj dekade. Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe me hallet e shqiptarëve, ndërsa me opozitën kemi vetëm betejën politike, të cilën nuk do e lëmë pa bërë, por do ta bëjmë me një qasje dhe cilësi të re. Kemi gjithë eksperiencën e nevojshme tanimë për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik”.

“Me qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj”, Rama: Mosdarkodësinë për Ballkanin e hapur do e trajtojmë me durim

Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e kësaj të premteje edhe për marrëdhënien me qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk është sekret që “nuk shkojnë vaj”, sipas tij, për shkak të mosdakordësisë për “Ballkanin e Hapur”. Megjithatë, ai tha se në mandatin e tretë, qeveria e drejtuar prej tij do të punojë me përkushtim me qeverinë e Kosovës për të pasur marrëdhënie sa më vllazërore duke u fokusuar në ato punë që i bashkojnë dy vendet.

Ashtu sikur një qasje në një cilësi të re ne duhet të synojmë marrëdhëniet tona parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Duhet të jemi shumë më të pranishëm në Prishtinë, flas si deputetë për të diskutuar me kolegët deputetë atje, për të ndarë opinione, për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe i ftojmë ata shumë më tepër sot të jenë të pranishëm në mjediset e Kuvendit në Tiranë”.

Nuk është sekret se me qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur” ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mesKosova është pjesë e pandashme e jona dhe e së ardhmes sonë të përbashkët dhe e ardhmja duhet të na bashkojë gjithmonë e më shumë ne do të punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie sa më vllazërore duke u fokusuar në gjithë atë punë e drejtime që patjetër nuk kanë si të mos na bashkojnë dhe patjetër duke trajtuar me durim mosdarkodësinë për “Ballkanin e Hapur”.

“Ballkani i Hapur” është një zgjedhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi dhe rajoni ku sa më shumë të hapemi, sa më shumë të ndërveprojmë, sa më shumë të përfitojmë nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet, aq më shumë do të zhvillohemi dhe përforcohemi në funksion të perspektivës sonë europiane. Ne do të punojmë shumë fort në këtë drejtim dhe do të punojmë në çdo sektor për t’i dhënë mundësinë të gjithë aktorëve, që vit pas viti të kenë mundësi shumë më të mëdha, dhe pastaj jam i bindur se do kemi rezultate që do të flasin vetë pse “Ballkani i Hapur” na bën më të fortë si Shqipëri, por edhe si faktor shqiptar qoftë në rajon apo Europë”./tvklan.al