Temë diskutimi negociatat me Tiranën dhe Shkupin dhe rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi

Sot pasdite në Bruksel do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ndryshe nga takimi i një dite më parë në Brdo të Sllovenisë, në takimin e Brukselit kryesisht do të jenë kryeministrat e vendeve të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Në takim do të marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.

Ky takim do të shërbejë për të diskutuar “në mënyrë të hapur” për zhvillimet e fundit në rajon, procesin e zgjerimit, çështjet gjeostrategjike dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon si dhe raporteve mes rajonit e BE-së. Para këtij takimi shefi i diplomacisë europiane Borrell u ka kërkuar shteteve anëtare që të miratojnë pa vonesë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në të njëjtën kohë dhe brenda së njëjtës vendimmarrje pa i veçuar këto shtete nga ecja paralelisht në negociata.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë pritet të ndodhë para datës 22 Qershor dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.

Klan News