Kryeministri Edi Rama, ka folur sot rreth procesit të vaksinimit në vend. Ai është shprehur se shumë shpejt të gjithë do të vaksinohen dhe se pëpjekjet për të siguruar sasitë e nevojshme të vaksinave, po vazhdojnë.

“Do shtrihet intensivisht ditë për ditë, në gjithë rrjetin e mjekëve dhe infermierëve dhe shumë shpejt të gjithë do të jenë të vaksinuar. Po ashtu do të mbarojë shumë shpejt edhe për të moshuar, në shtëpitë e të moshuarve. Ditën e diel do të vazhdojmë me disa personalitet 80 e lart që do të vaksinohen për të filluar me këtë kategori”.Ndërkohë vazhdojmë përpjekjen për të siguruar sasi të konsiderueshme vaksinash në vijim.”

Rama po ashtu tha se, brenda muajit Mars do të kemi 40 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Kryeministri akuzoi edhe Presidentin Ilir Meta për shpërdorim të postit të tij, për të shërbyer në favor të LSI-së, gjatë vizitës në Vlorë ku ndodhej për të parë nisjen e procesit të vaksinimit. Rama tha se Meta ka shkuar në këtë qytet “natën me makina pa protokollin përkatës”. Sipas kreut të qeverisë, Meta e ka kuptuar që zgjedhjet kanë për të qenë një katastrofë për LSI-në.

 “Presidenti ka kohë që s’është më President. Është thjesht një shpërdorues i funksionit të Presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja. E mirëkuptoj sepse vjen në Vlorë natën fshehurazi shkon lart e poshtë natën. Shfaqet me makina pa as protokollin përkatës. Takon njerëz po mesa duket jo aq shumë dhe i duket e zbrazur komplet Shqipëria sepse shumë pak njerëz tanimë besojnë tek LSI-ja. Në këto kushte duhet ta mirëkuptoni të gjithë se i duket si një katastrofë sepse në fakt sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të jenë një katastrofë për LSI-në”, tha Rama.

Klan News