Këtë të enjte, në 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Edi Rama ka theksuar nga Rrogozhina se vendin në NATO e futi Amerika dhe jo PD-ja.

Gjatë takimit të tij me fermerët, Rama u shpreh se 25 Prilli do të vendosë fatin e drejtësisë së re.

Më tej kryeministri tha se presidenti Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi janë armiqtë e Reformës në Drejtësi.

“E pra është koha për të qëndruar shumë drejt. Është koha për të marrë vendim. Do vazhdojmë përpara për të kryer punët që kemi nisur dhe të çojmë në fund këto përpjekje, apo do shkojmë gropë siç kemi shkuar gjithmonë sa herë ata e kanë marrë. Ju ka ngel goja ‘ju futëm në NATO, ju futëm në NATO’. Në NATO na futi Amerika ne, nuk na futën këta.

Mos harroni këto zgjedhje janë zgjedhje që vendosin fatin e drejtësisë. E kemi ngritur me shumë mundim bazën. Ka filluar të çelë me shumë mundim embrioni i drejtësisë së re. Ilir Metës do t’i jepni ju besimin që rri dhe flet me vete sa herë del në televizor dhe pa i thënë kush një në tre fjalë e ka burgu, burgu, burgu, e thotë vetë. Se ça ka ky që i rri mendja te burgu le ta gjejë vetë. Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi janë armiqtë reformës në drejtësi. Janë armiq të drejtësisë së re dhe të pastë. Që po ndërrohet hap pas hapi se nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Drejtësia në Shqipëri bëhet vetëm nëse populli e mbron dhe populli i drejtësisë është 25 Prilli. Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i luftës me armikun e padukshëm është 25 Prill.

Përrallat me mbret duke shpërndarë Euro me llafe duhet t’ju kujtojnë vetëm një gjë, Suden, Vehbiu, Xhaferrin. Nuk ka sot, s’ka pasur kurrë, por nuk ka sot qofte ke daja. Sot secili duhet të ndihmohet, duhet të mbështetet që të mbrojë jetën, të ketë strehën mbi kokë apo të vazhdojë punën e tij. Është një ndarje e prerë mes dy botëve, bota e vaksinimit dhe bota e infektimit, bota e rindërtimit dhe e rishkatërrimit, bota e rrenave dhe bota e kalova lumin mbaje vetë kalin”./tvklan.al