Sot në New York nis sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të pritet të marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Kryeministri shqiptar ka planifikuar takime me homologë dhe pjesëmarrjen në takimin me liderët e rajonit i organizuar nga Shefi i Diplomacisë Evropiane në largim Joseph Borrell.

Një takim të veçantë Rama do ta ketë edhe me Presidenten e rizgjedhur të Parlamentit Europian Roberta Metsola.

Pritet që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të miratohet nga të 193 shtetet një plan reformash të OKB-së. Ky plan u negociua nën udhëheqjen e Gjermanisë dhe Namibisë dhe për këtë arsye kancelari gjerman Olaf Scholz do të mbajë sot një fjalim në fillim të aktivitetit.

Ky pakt përfshin deklaratat e synimit për të reformuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe bën thirrje për një rregullim të sistemit financiar ndërkombëtar në favor të të ashtuquajturit Jugu Global. Ai gjithashtu synon të vendosë bazat fillestare për rregullimin global të Inteligjencës Artificiale.

Në këtë Asamble pritet të jenë të pranishëm Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas. Presidenti Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në takim, por do të dërgojë kryediplomatin Sergey Lavrov.

Klan News