Hapet këtë të dielë në Nju Jork sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku pritet të marrë pjesë edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Në këtë sesion do të trajtohen çështjet më të mprehta që po kalon bota, mes tyre luftërat në Gazë, Sudan dhe Ukrainë.

Krahas Asamblesë së Përgjithshme, do të mbahet edhe një samit për të ardhmen që synon reformimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e sfidave të reja, përfshirë ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale.

Kryeministri shqiptar ka planifikuar takime me homologë edhe pjesëmarrjen në takimin me liderët e rajonit, i organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane në largim, Joseph Borrell.

Në OKB gjendet edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani që ka marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme. Në takim ai foli për barazinë gjinore në botë dhe theksoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin e grave në jetën publike.

“Le të ndërtojmë një të ardhme ku gratë dhe vajzat fuqizohen për të përmbushur potencialin e tyre dhe për të kontribuar në mënyrë domethënëse në përmirësimin e shoqërisë. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Hasani pritet të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.

Tv Klan