Rama ne opinionKryeministri Edi Rama i ka dhënë fund komenteve në shtypin e shkruar duke pranuar publikisht në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se, 2014-a do të jetë viti që do të bekojë me një trashëgimtar të ri familjen Rama, duke u bërë në këtë mënyrë baba për herë të dytë.

Edi Rama: “Ishte një dëshirë e madhe që u kurorëzua si një lajm i mrekullueshëm dhe që tanimë është mes nesh si një hapësirë tërësisht e re dhe shumë tërheqëse. Ju keni parasysh që të gjithë ata që kanë kaluar nga një histori dashurie e materializuar në një krijesë që pritet të vijë është diçka që është zor të gjesh fjalët për ta përshkruar.

Blendi Fevziu: Do të jetë djalë apo vajzë?

Edi Rama: Nuk e dimë këtë gjë dhe kemi dëshiruar që të mos e mësojmë.

Blendi Fevziu: Cila është preferenca juaj?

Unë në këtë rast që gjëja është konkrete nuk di të zgjedh, por në të gjitha rastet, qoftë vajzë, qoftë djalë…

Blendi Fevziu: Ishte dëshira juaj apo e bashkëshortes?

Kjo është një dëshirë që s’mund të jetë veçse tërësisht e përbashkët. një gjë është e sigurt, që ky është një lajm i gëzuar dhe që e bën të tillë edhe gëzimi i Reas dhe i Gregut. Duke pasur një vajzë apo një djalë është shumë bukur të kemi një shumicë apo një pakicë.”

Ogur të mbarë e cilësoi edhe për xhepat e qytetarëve shqiptarë vitin 2014, kur ju referua rritjes ekonomike dhe hodhi poshtë zërat për rritje të mëtejshme të taksave, pas marrëveshjes së huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Blendi Fevziu: Sa do të jetë rritja ekonomike?

Edi Rama: Minimumi 2%, por ndoshta edhe më shumë.

Blendi Fevziu: A ka një marrëveshje me FMN që ju kërkon rritjen e taksave?

Edi Rama: Marrëveshja me FMN është bërë para miratimit të buxhetit dhe ne nuk na detyron asgjë çfarë të bëjmë me këtë rrugë. Nëse një shtet falimenton, atëherë duhet të gjejë rrugë për të shpëtuar. Por ne nuk e kemi këtë situatë. Ne jemi në kushtet kur tkurrja rrënuese e ekonomisë ka mbaruar dhe më e keqja ka kaluar. “

Premtimin e bërë për legalizime falas u mundua ta sqaronte dhe njëherë, duke thëne se do të paguhet për tokën nëse ajo është e shtetit ose e ish-pronarëve. Kryeministri sqaroi skemen e legalizimeve që sipas tij mbeshtet edhe ata që nuk kanë mundesi të paguajnë.

Edi Rama: “Legalizimet janë falas. Janë 5 tarifa që janë hequr komplet. Kjo është e rëndësishme, sepse kjo do të thotë që kur ne e kemi anonçuar këtë gjë, të gjithë kanë stopuar dhe presin daljen e ligjit se kjo ishte një barrë e madhe për çdo familje. Unë di t’ju them që shpenzimet administrative kanë variuar nga 400 mijë lekë në 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë. Sepse ka familje që i kanë paguar nga 4 herë. Dal garant që sot për legalizimet nuk paguhet asnjë qindarkë korrupsion. Në momentin kur shtëpia është ngritur mbi truallin e familjes, nuk paguan asgjë. Kemi ndryshuar tërësisht praktikën e punës. Nuk shkojnë më familjet te ALUIZNI, por është vetë ALUIZNI që shkon tek familjet. Kur toka nuk është e familjes, por është e shtetit apo e pronarit, ne nuk kemi asnjë të drejtë që këtë tokë ta japim falas dhe nuk ka asnjë interes që këtë tokë ta marrë falas, sepse merr në kurriz një konflikt. Kush do të paguajë menjëherë, vetë çmimi i tokës do të jetë shumë i ulët. S’ka tokë me çmim tregu.”

I pyetur në lidhje me punën e ministrave të tij, zoti Rama mohoi mundësinë e ndryshimeve në kabinet, me argumentin se në këto 23 vjet vendi nuk ka njohur skuadër më të mirë qeverisëse.

 “Nuk kam asnjë arsye të bëj ndryshime në kabinetin qeveritar. Askush të mos presë ndryshime as sot, as mot. Ndryshime mund të ketë vetëm në rast në rast se një ministër shkel ligjin apo kontratën tonë me popullin shqiptar. Kjo është skuadra më e mirë qeverisëse që ka pasur Shqipëria në 23 vjet.”

Mesazhin e dhënë nga kancelarja Merkel e ripësëriti sërish kur u pyet për detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria për të qënë anëtar i Bashkimit Europian.

Shprehja “fajin e ka Saliu” edhe kësaj rradhe u zëvendësua me fajin e ka media, kur kryeminsitri u pyet në lidhje me shkeljen e etikës nga ana e tij në një nga seancat plenare.

Gjatë intervistës së dhënë në “Opinion”, kryeministri Rama u shpreh i hapur për bashkëpunim me opozitën sa i përket reformës territoriale, por shtoi se në rast të mosgjetjes së konsensusit, mazhoranca ka 84 votat e mjaftueshme në kuvend për ta votuar e vetme këtë reformë. Ai hodhi poshtë pretendimet se ndërhyrjet e INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje janë selektive dhe tha se aksioni do të vazhdojë në të gjithë vendin.