Në Panairin e Turizmit në Madrid të Spanjës, Kryeministri Edi Rama ka siguruar turistët e huaj se Shqipëria është një vend i sigurt për të shkuar me pushime.

Në një bashkëbisedim me gazetarët spanjollë, kreu i qeverisë shqiptare tha siguria është një nga aspektet që vlerësohet nga turistët që vizitojnë Shqipërinë.

“Ne, bazuar në statistikat e BE, jemi vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Europë. Vendi kampion është Britania e Madhe. Ata thonë për shkak të faktit se shqiptarët kanë shkuar atje, por nuk jam i sigurt për këtë.

E dyta, ne jemi një vend ku mikëpritja është feja kryesore. Në kaq shumë vite që kur dolëm nga situata e të qenit vendi më i izoluar i Europës, ishim vend komunist, por nuk kishim marrëdhëne me vendet e tjera komuniste në Europë, dhe kur dolëm i hymë një rruge me pengesa tranzicioni. Por fakti është që gjatë tërë këtyre viteve ne jemi hasur me situata në të shkuarën që kanë qenë të dëmshme edhe fizikisht për njerëzit, por kurrë asnjëherë asnjë vizitor i huaj nuk është dëmtuar, asnjë vizitor i huaji kurrë nuk ka patur çështje sigurie, ndoshta shumë pak raste. Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Shqipëria jo vetëm është e bukur, por mjaft e sigurt. Siguria është një nga fjalët më të përdorura prej turistëve kur vijnë. Turistët që vijnë nga kryeqytetet europiano-perëndimore kur i pyesin çfarë i pëlqen nga Shqipëria, thonë njerëzit, ushqimi dhe siguria”.

Në Panairin e Turizmit në Madrid, Kryeministri shoqërohet nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro dhe disa kryebashkiakë.


Rama nga Madridi: Të nxisim më shumë turizëm luksoz, për të mos rënë viktimë e atij masiv

Një një bashkëbisedim me gazetarët në Madrid, kryeministri Rama ka treguar objektivat e qeverisë për “Shqipërinë, si një destinacion i turizëm të qëndrueshëm”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka deklaruar se qëndrueshmëria në këtë sektor është sfidë, teksa ka shtuar se duhet bërë kujdes që të vendoset një ekuilibër mes të ardhmes dhe të tashmes.

Kryeministri Rama, ka shtuar në fjalën e tij se qeveria synon të nxisë edhe një turizëm luksoz për të mos rënë viktimë e atij masiv.

Edi Rama: Sot na u ofruan grupe të tjera spanjolle dhe tanimë nuk e kanë më problem të investojnë në Shqipëri dhe vende si të tonat që gjenden midis të qenurit të fshehur dhe ambicies për të dalë në pah, ata që shkrijnë akullin janë të rëndësishëm, dhe një gjë të tillë ka bërë edhe Melia. Qëndrueshmëria, sfidë e madhe sepse duhet të tregojmë kujdes për zhvillimin dhe të vendosim ekuilibër mes të ardhmes dhe të tashmes. Jemi të bekuar me një vend që me një sipërfaqe shumë të vogël, është besoj një vend shumë i larmishëm, një prej vendeve me larminë më të madhe.

Në një distancë të shkurtër, mund të jesh në Spanjë dhe në Zvicër në të njëjtën kohë, të jesh në Amerikën e Veriut dhe në atë të Jugut përsa i përket klimës. Jemi shumë të lumtur me atë që po bën Melia sepse duam të nxisim për më shumë turizëm luksoz, për të mos rënë viktimë e turizmit masiv që në fund të fundit nuk i jep vendit aq përfitim, sa ç’mund t’i sjellë dëme. Dua të ju them kujtdo që të vijnë të kalojnë përvojën me Melian në plazh sepse këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë vizitorë që janë njerëz që kërkojnë të gjejnë gjëra të tjera. 


Rama në Spanjë për turizmin: Shqipëria nuk është më kaq e fshehur, ka shumë kërkesa për të ardhur

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro zhvilluan një bashkëbisedim me gazetarët në Spanjë në Panairin e Turizimit, ku Shqipëria u prezantua si destinacion i turizmit të qëndrueshëm.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria tashmë nuk është më një vend i fshehur, dhe kjo u evidentua në sezonin e kaluar turistik, dhe se kërkesat nga turistët janë shumë të larta.

“Është mjaft inkurajuese të shohësh se çfarë etje të madhe ka Melia për të shpërndarë markën e vetë në mbarë vendin. Ka 10 kontrata veprimtarie tanimë. Është po kështu mjaft e rëndësishme që gjendemi këtu sepse kemi parë vitin e kaluar rritjen e turistëve spanjollë në Shqipëri. Tashmë Shqipëria nuk është kaq e fshehur. Ka shumë kërkesa për të ardhur. Shënuam aeroportin me rritjen më të lartë, bazuar në statistikat e OBT jemi vendi i tretë sa i takon rritjes së turizmit në botë”.

Ndërsa ministrja Kumbaro tha se marka e Shqipërisë turistike është mikëpritja dhe fryma e mirë.

“Ne nuk konkurrojmë as me Greqinë, Italinë as me Kroacinë, ne përplotësojmë hartën me Shqipërinë. Melia tanimë është një lloj ambasadoreje, sepse ndoshta qe e vështirë që Melia ta niste me projektin e parë por tani po bëhet e pandalshme dhe po shndërrohet në model për gjigandë të tjerë turistik. Shqipëria ju pret me padurim, t’ju ofrojë atë çfarë është historia, mikëpritja e saj. Marka jonë është mikëpritja dhe fryma e mirë”.


/tvklan.al