Kryeministri: Folëm për investime në Shqipëri dhe situatën në rajon

Për rreth 2 orë, Kryeministri Rama ka drekuar me presidentin francez Emmanuel Macron në pallatin presidencial Elise, me ftesë të këtij të fundit.

“Ishte një ftesë e presidentit me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar. Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale”.

Pas takimit, Kryeministri Rama tha se temat e diskutimit u përqendruan në investimet e Francës në Shqipëri dhe në rajon, duke veçuar këtu procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit rajonal  dhe për tema të tjera, që kanë zënë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë”.

Do jeni ndërmjetës mes Kosovës dhe Serbisë për të përafruar qëndrimet e tyre?

“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam palë dhe si palë, unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë të çojnë përpara dialogun, ashtu siç ato e mendojnë të arsyeshme. Natyrisht, me gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë, sot dhe nesër, në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme për si të arrijmë tek qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë”.

I pyetur nëse mori sinjale për ecurinë e procesit të integrimit, Rama tha se tashmë është e qartë që Shqipëria i ka plotësuar kushtet e saj.

“Është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë dhe e përsëris që s’ka asnjë sekret. Është sekreti më i madh publik, nëse mund ta themi, që ne i kemi bërë detyrat tona dhe gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brenda për brenda vendeve të BE-së. Kështu që kjo është një gjë e ditur dhe s’ka nevojë për t’u zgjatur në këtë”.

Kreu i qeverisë tha se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe 3 investimet e Francës në vendin tonë përmes Agjencisë Franceze të Zhvillimit. Rama veçoi projektin më të rëndësishëm mes tyre atë për furnizimin 24 orë pa ndërprerje me ujë për Durrësin, një angazhim që ia kishte kërkuar presidentit francez.

Tv Klan