Kryeministri: PS po zhvillon vendin, të tjerit mbjellin rrëmujë

Kryesocialisti Edi Rama sëbashku me drejtuesne e qarkut Belinda Balluku ishin në Dibër ku morën pjesë në takimin e radhës në kuadër të turit për anëtarësimet e reja. Rama tha se Partia socialiste është forca politike që sjell zhvillim të vendit krahasuar me forcat e tjera politike që mbjellin rrëmujë.

“Pa diskutim që kemi të metat tona dhe jemi larg së qeni të pagabueshëm, por mund të thuhet se jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë, diku më pak ndërkohë që forcat e tjera sjellin rrëmujë, konfuzion dhe një status-quo që e degradon realitetin ku qeverisin në mënyrë të vazhdueshme. Në Shkodër më ka lënë mbresë shumë të keqe, po e sjell këtu si shembull të faktit që kjo ndodh kudo kur ata të tjerët marrin mandatin për të bërë diçka. Një stadium i ri i ndërtuar për ndeshje ndërkombëtare, i cili më besoni ishte katandisur në një objekt sikur aty kishte rënë bomba edhe prej vitesh nuk kishte shkelur njeri. Asnjë përkujdesje asnjë mirëmbajtje vetëm degradim. Si stadiumi është e gjithë Shkodra e cila ka filluar të marrë veten hap pas hapi.”

Kryesocialisti e cilësoi degën në Dibër si një nga më të shëndetshmet në vend sa i takon shifrës së anëtarësimeve të reja.

“Sot mund të thuhet me plot gojën se organizata e Dibrës është nga më të shëndetshmet që kemi në Shqipëri. Dhe besoj që edhe shifrat e anëtarësimeve të reja të cilat janë mbresëlënëse janë tregues i këtij fakti. Sepse në një parti ku sherri është dominanca e çdo përpjekje për t’u bashkuar, kur një grup njerëzish kthehen në sundimtarë apo pengues të frymëmarrjes së organizatës, është parti ku as të tjerët nuk kanë dëshirë të përfshihen.”

Drejtuesja politike e socialistëve në Dibër foli për anëtarësimet e reja në parti.

Drejtuesit e Partisë Socialiste kanë nisur një tur takimesh në të gjithë vendin për hapjen e partisë nga ku do të përmbyllet këtë fundjavë me zhvillimin e Asamblesë në Durrës nga ku do të bëhet bilanci për çdo qark dhe bashki.

Klan News