Bisedon me Biden dhe krerët e aleancës

Në samitin 2-ditor të NATO-s që nisi në Madrid të Spanjës, Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama që shoqërohet edhe nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Mikpritjen ua dha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg si dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.

Por pas fotos familjare që mbahet si zakonisht në raporte të tilla, ra në sy një bisedë e gjatë e kryeministrit shqiptar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Nuk dihet se për çfarë kanë diskutuar Rama dhe Biden që bisedën e kanë vijuar deri në sallën e mbajtjes së mbledhjes së krerëve të aleancës.

Rama u takua edhe me krerë të tjerë shtetesh. Samiti vijon edhe të enjten ku Kryeministri shqiptar të takohet me Kryeministren e Suedisë, Magdalena Anderson, vend për të cilin Shqipëria ka dhënë aprovimin për anëtarësim në aleancë.

Në axhendë është edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje me një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.

Mbrëmjen e së martës Rama ishte i pranishëm edhe në darkën mbretërore gala të organizuar nga Mbreti Felipe i gjashtë i Spanjës dhe Mbretëresha Leticia.

Tv Klan