“Shqipëria, pikë e rëndësishme e shpërndarjes së gazit për rajonin”

U nënshkrua në Madrid Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz dhe kompanisë spanjolle ENAGAS, për t’i hapur rrugë bashkëpunimit mbi një sërë projektesh të qeverisë shqiptare në sektorin e gazit të lëngshëm.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi, Kryeministri Edi Rama u ndal te investimet për diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri. Sipas Ramës, me gazsjellësin TAP situata ka ndryshuar, pasi ka ndryshuar gjithë perspektiva lidhur me gazin.

“Me Gazsjellësin Transadriatik ne jemi bërë tërheqës tani, na shohin me interes ndryshe. Po tërheqim çdo ditë e më shumë interesimin e kompanive më të njohura në Europë e SHBA në rrugën e transformimit të Shqipërisë në një pikë të rëndësishme hyrje e shpërndarjeje të gazit për gjithë rajonin”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se me këtë marrëveshje hidhet një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, për ta bërë një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit për transmetimin e gazit.

“ENAGAS është angazhuar, jo vetëm për të kontribuuar fuqishëm në ngritjen e të gjithë transmetuesit IAP, por gjithashtu është angazhuar të marrë pjesë edhe me investimet në depozitat natyrore të gazit të lëngshëm, por edhe në të gjitha hapat që ne do të hedhim në të ardhmen edhe në terminalin, edhe në termocentralin e Vlorës”.

Me marrëveshjen e kësaj të enjteje mbyllet dhe vizita e Kryeministrit Rama në Madrid të Spanjës. 

Tv Klan