Kryeministri Edi Rama pret që PS-ja të fitojë 20 deputetë nga Qarku i Tiranës. Teksa prezantoi skuadrën e tij për zonën më të rëndësishme elektorale në vend, Rama tha se numri 19 është numri minimal i kandidatëve që mendon Partia Socialiste për të fituar.

Rama nuk la pas batuat me kandidatin e renditur ne vendin e 19, ministrin Pandeli Majko, ndërsa tha se në zgjedhjet e ardhshme ai do të jetë i 20-ti në listë dhe premtoi se prezantimin do ta bëjë tek Teatri i ri Kombëtar duke nënkuptuar se do të ndërtohet brenda mandatit të 3.

“Sa më takon unë di dhe do përmend vetëm numrin e PS-së dhe pastaj u takon të gjithëve të bëjnë zgjedhjen e tyre për çdonjërin nga kandidatët që preferojnë, por 19 është një numër që unë e përmend e para se është numri i Pandit, e dyta sepse është objektivi ynë minimal në Tiranë, e treta sepse në Tiranë do të fitojmë 20 deputetë, dhe e fundit, kur Pandi të jetë i 20 në zgjedhjet e tjera do të flasë për Teatrin e ri Kombëtar njësoj siç foli për stadiumin sot sepse këtë takim në kushte të pashtrënguara nga pandemia, dhe me siguri edhe me komunitetin artistik rreth e rrotull, pas 4 vjetësh do ta bëjmë tek Teatri i ri Kombëtar. Për të gjitha këto arsye numri 19 është i veçantë. Shpresoj që Elisës të mos i mbetet hatri që unë përmend numrin 19”, tha Rama./tvklan.al