Në vijim të takimeve “Arsimi i Gjeneratës tjetër”, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u takua në Tropojë me mësues të ciklit 9 – vjeçar dhe atij të mesëm. Kryeministri diskutoi me ta mbi reformën në sistemin arsimor në Shqipëri dhe arritjet e saj, si dhe iu komunikoi atyre drejtpërsëdrejti, lajmin e rritjes së rrogave për mësuesit dhe pedagogët e të gjitha niveleve.

Rama iu komunikoi gjithashtu mësuesve se pjesë e programit për rilindjen Urbane do të jetë edhe mbështetja që do të ofrohet për rindërtimin e plotë të gjimnazit të qytetit, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të vështirë për sa i takon kushteve të mësimdhënies. 

Ndërsa për sa i takon rritjes së rrogave, Kryeministri bëri të ditur se nga shuma e përgjithshme prej 100 milion dollarë e vënë në dispozicion për rritje rrogash, 18 milion dollarë i përfiton vetëm arsimi. 

Me rritjen e rrogës që do bëjmë për ju, që do të jetë mesatarisht 10 për qind, ndërkohë që gjithë rrogat e ulëta në arsim do të rriten me 35 për qind, faktikisht ne do të kapërcejmë edhe Kosovën, edhe Serbinë, edhe Maqedoninë, edhe Malin e Zi me rrogat e ulëta dhe do kapërcejmë Kosovën dhe Serbinë me rrogat mesatare, që do të thotë që s’është maksimumi, edhe më shumë edhe më mirë, por në këtë fazë besoj se është një sforco jo e vogël që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë. Kjo rritje është 100 milion dollarë që merren nga buxheti i shtetit e shkojnë në buxhetin e familjeve. 18 milion dollarë ka vetëm arsimi.

” /tvklan.al