Xhaçka: Moment historik, mirënjohje diplomatëve

Ulja si anëtare e përkohshme në tryezën më të lartë të vendimmarrjes globale në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk ka kaluar pa u festuar në Tiranë. Për Kryeministrin Rama ajo është histori suksesi që rikonfirmon një standard të ri besueshmërie për vendin e tij. E në këtë tryezë thotë se Shqipëria nuk do të shkojë për të zënë karrigen, por me axhendë vlerash nga barazia gjinore, deri tek toleranca fetare.

“Shkojmë në Komisionin e Sigurisë nga një Rajon që ka dhënë mësimin se të drejtat e njeriut janë shtyllat e pashmangshme të platformës që ndërton shoqëri më të mira. Nga ana tjetër Shqipëria ka të drejtën që të dëgjohet kur vjen puna për tolerancën e plotë fetare dhe për harmoninë mes besimeve të ndryshme, çka për ne është edhe themeli i promovimit të keqes, por edhe i mbështetjes sonë të pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit.”

Si aleat i palëkundur i SHBA-ve, por edhe BE-së, kësaj të fundit i kujton se fatkeqësisht sot politika europiane nuk është një det i qetë, kur bëhet fjalë për vlerat universale që promovohen nga vetë unioni.

“Nuk është vetëm Shqipëria dhe Ballkani që përpiqen të jetojnë me ato vlera, por edhe vetë BE. Nëse ato vlera do të ishin vetëm të BE, Kosova nuk do të ishte duke pritur liberalizimin e vizave, ne dhe Maqedonia nuk do rrinim e të prisnim në Zoom. Por është më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE se sa nga telat me gjemba, siç ishte ky vend vite më parë.”

Ndërsa për Ministren e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një moment historik që tejkalon mandatin e kësaj qeverie.

Në 11 Qershor Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit për një mandat 2 vjeçar, duke u votuar nga 175 vende të OKB-së.

Tv Klan