Kryeministri Edi Rama e cilëson si privilegj udhëheqjen e Partisë Socialiste, ndërkohë që bëri thirrje për të menduar për shëndetin dhe të ardhmen e saj. Ai e konsideron të rëndësishëm ndërmarrjen e veprimeve për të ruajtur forcën dhe suksesin e PS për më shumë se katër vjet. Një nga këto veprime që ai cilësoi është ngritja e një akademie politike me standarde europiane për të rinjtë.

Rama tha se nëse socialistët nuk duan të kthehen në një azil pleqsh duhet të veprojnë shpejt për të mos rrezikuar që makineria elektorale të mbetet një ditë në rrugë.

I dhanë jetë kësaj partie që e sollën këtë parti në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh të jemi të gjithë bashkë këtu në udhëheqjen e saj. Sot ne duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, për forcën, për suksesin e PS në një afat më të gjatë sesa katër vjet. Ngritja sa më parë e një akademie politike të PS, me standardet më të larta europiane, jo vetëm për djem e vajza të talentuar në çdo territor, por edhe për edukimin në vazhdim të bashkësisë sonë me ndjenjën e edukimit të parimeve, qëllimeve, nismave të përbashkëta, nuk është zgjidhje magjike sepse nuk ka zgjidhje magjike këtu, por është një kohë imperative mes nesh, gjeneratës së sotme dhe gjeneratës së 20-vjeçarëve e 20-vjeçarëve të tjerë pas tyre. Nëse nuk doni që PS një ditë aspak të bukur të bëhet një azil pleqsh, duhet të veprojmë sot, pa menduar që kjo do të ndodhë në kohën që ne kemi pushtetin dhe nuk do të ndodhë këtu, por mund të ndodhë shumë më shpejt sesa përfytyrimi dhe pa një qasje të re në raport me cilësinë e demokracisë me aftësinë ndërvepruese me zgjedhësin, me kapitalin njerëzor të partisë. Edhe makineria jonë e pathyeshme elektorale rrezikon të mbetet një ditë në rrugë, pa benzinë./tvklan.al