Kryeministri Edi Rama e konsideron ish-kreun e qeverisë Sali Berisha si një njeri që është “gjeneratori i konfliktit permanent”. Rama tha gjatë emisionit “Opinion”, ku ishte i ftuar këtë të enjte se nëse “Sali Berisha nuk do ishte Sali Berisha politika në Shqipëri do të ishte goxha ndryshe”.

Sipas kreut të ekzekutivit, Partia Demokratike është peng i Sali Berishës. Madje Rama shtoi se nëse Berisha nuk do të ishte “godfather” i PD-së situata pas humbjes në selinë blu do të ishte ndryshe pas humbjes në zgjedhje.

“Kjo ka ardhur për një arsye shumë të thjeshtë. Quhet Sali Ramë Berisha. Nëse Sali Berisha nuk do ishte Sali Berisha politika në Shqipëri nuk është se do ishte shumë ndryshe, por do të ishte goxha ndryshe. Saliu është gjeneratori i konfliktit permanent. Unë po flas për frymë, marrëveshjet e mëdha janë tjetër histori. Ka një arsye pse PS-ja ka ndryshuar gjatë gjithë periudhës, ka alternuar shumë njerëz, dhe PD-ja mbetet peng atij njeriu. Nëse Sali Berisha nuk do të ishte ‘godfather’, kumbari i PD-së sot që flasim situata atje mbas kësaj humbje do të ishte komplet tjetër. Do kishte njerëz atje që do dilnin natyrshëm dhe do thonin që do bëhem unë kryetar i partisë. Pse nuk ndodh kjo? Unë flas këtu për një gjenerator të konfliktit permanent, sepse është e vërtetë që në të gjithë botën, në të gjitha situatat masa përfaqësuese nuk është ajo që e bën kapërcimin. Kapërcimin e bëjnë liderët. Nuk po të flas për marrëveshje nga halli, taktike. Nuk kam lavdëruar Sali Berishën unë, unë kam thënë dhe e them që ai është karakter i mbrapshtë, por është lider, nuk diskutohet. Nëse Sali Berisha do të ishte një karakter i drejtë, do të kishte ndryshuar tërësisht konfiguracionin duke pasur Fatos Nanon nga ana tjetër. Por është i mbrapshtë deri në fund. Po të them prapë që PD-ja, se ne flasim këtu në njëlloj havaje sepse PD-ja është në një lloj limbo. Pse? Sepse gjithë ata atje thonë çfarë mendon ai. Edhe Lulzim Basha them do të ishte tjetër nëse do të ishte shkëputur nga hija”, tha Berisha. /tvklan.al