Nis vaksinimi për punonjësit e transportit publik

Të enjten Komiteti Teknik i Ekspertëve do të lehtësojë masat anti-Covid në vend. Deklaratën e bënë Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pasi panë nga afër nisjen e procesit të vaksinimit edhe për punonjësit e transportit publik.

“Jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë, shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë, nuk kemi parashikueshmëri të plotë 100% lidhur me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Nesër Komiteti do dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sezonin e kaluar besoj do të realizohet”.

“Sot kemi filluar me një tjetër grup risku, që janë punonjësit e transportit publik qytetas dhe ndërqytetas. Kemi filluar sot në të gjithë Shqipërinë. Janë kryesisht punonjës të transportit publik dhe gjithashtu edhe shoferët e taksive. Në tërësi janë mbi 4700 të punësuar dhe vetëpunësuar dhe organizimi po bëhet nëpërmjet shoqatave dhe me Drejtorinë e Rrugëve dhe të Transportit”.

Teksa theksoi se do vijojë procesi i vaksinimit i kombinuar, ministrja e Shëndetësisë u ndal tek dozat e tjera  Sinovac që priten të vijnë në Shqipëri për të cilat tha se do të shërbejnë për të ulur fashën e të vaksinuarve.

“Më shumë se 250 mijë qytetarë kanë kryer edhe dozën e dytë të vaksinës. Po ecim me ritme të mira drejt objektivit 1 milion vaksinimeve deri në fund të Qershorit, duke vijuar kalendarin tonë të vaksinimit të kombinuar dhe sigurisht duke synuar uljen e grupmoshës nën 60 vjeç”.

Që prej fillimit të procesit të vaksinimit në vendin tonë janë kryer në total afro 740 mijë doza të vaksinës anti COVID-19. Prej tyre 258,606 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Po ashtu janë vaksinuar rreth 6 mijë punonjës të hoteleri-turizmit dhe mbi 9 mijë punonjës të fasonerive.

Tv Klan