Shqipëria dhe Turqia do të krijojnë Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, që do të evitojë procedurat burokratike në fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kjo është një nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit turk Erdogan në Ankara. Lajmin e konfirmoi vetë Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp, ku nuk ngurroi të falenderonte Turqinë dhe Erdogan për ndihmën e vazhdueshme ndaj Shqipërisë edhe në kohë të tilla si pandemia e koronavirusit.

Solidarizimi ndaj ngjarjeve të tilla reflekton esencën e kësaj marrëdhënie dhe të humanizmit. Jam sot vertëë krenar që m’u dha mundësia dhe nderi që të nënshkruaj këtu në emër të Shqipërisë me Presidentin Erdogan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë. Vlera më e madhe që unë shoh është gatishmëria për të ngritur grupe të përbashkëta dhe për të punuar nga afër bashkarisht duke kapërcyer barrierat burokratike, pra duke funksionuar si një organizëm që sheh, projekton dhe bashkëpunon në të njëjtin drejtim”, tha Rama.  

Duke folur për kohët e vështira me të cilat po përballët bota, Kryeministri falenderoi Turqinë që sërish iu gjend pranë vendit tonë, dhe nuk ngurroi të sulmonte shtetet e tjera.

“I qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë dhe ndaluan deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne siç është shumë domethënës fakti që edhe sot një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i afërt mes dy vendeve dhe mbështetja e Turqisë për Shqipërinë në të gjithë procesin e kësaj lufte të madhe me këtë armik të padukshëm pa u kursyer dhe i pa mbajtur sytë vetëm nga vetja. Edhe pse Turqia u godit nga tërmete, edhe pse Tuyrqia u gjend në domosdoshmërinë për t’u marrë me plagët e veta për të cilat ja kam shprehur ngushëllimin Presidentit, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë sekondë projekti që po realizohet aspak i vogël”. /tvklan.al