Qeveria beson se masat që ka marrë për sezonin turistik kanë rritur standardet që ofrohen për pushuesit në bregdetin shqiptar. Vetë kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me operatorët turistikë që operojnë në plazhin e Durrësit thotë se fokusi duhet të jetë te përmirësimi i imazhit të vendit. Rama flet me shembuj konkretë se panorama që të huajt kanë në mendje kur flitet për Shqipërinë është ajo e një vendi ku siguria mungon totalisht.

Një faktor kyç sipas tij që mund të ndryshojë imazhin dhe të përmbushë objektivin për të sjellë në 5 vite 10 milionë turistë në vend është ngritja e hoteleve me 5 yje.

Për të thithur turistë nga vendet nordike kryeministri ofrohet të jap dhe kontributin personal.

Rama thotë se qeveria ka marrë disa hapa konkretë për të lehtësuar biznesin përfshirë dhe ata që operojnë në sektorin e turizmit. Veç uljes në 5% të tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 milionë lekë kryeministri lajmëron se po punohet edhe për të futur një teknologji të re për të regjistruar transaksionet.

Me optimizëm strukturat qeveritare flasin dhe për rritjen e punësimeve në sektorin e turizmit, një pjesë e konsiderueshme të punësuar sezonal.

Tv Klan