Kryeministri Edi Rama tha këtë të premte se mediat vizive duhet të ndërpresin çdo lloj programi me më shumë se dy të ftuar. Ai u shpreh se emisionet, të cilat zhvillohen në studio të mbyllura me ajër të kondicionuar ku mblidhen më shumë se dy persona janë vatra të rrezikshme për përhapjen e COVID-19. Prandaj kreu i qeverisë bëri thirrje që të evitohen ambiente të tilla.

“Prej ditës së hënë duhet që të gjitha kompanitë mediatike që kryejnë shërbimet televizive të ndërpresin çdo lloj programi me më shumë se dy persona në studio. Studiot televizive të cilat punojnë në mjedise me ajër të kondicionuar dhe mbledhin më shumë se sa dy persona për spektakle apo programe të llojeve apo formateve të ndryshme janë vatra të rrezikshme në këtë luftë me armikun e padukshëm. Këtu i lutem të gjithëve të evitojnë ajrin e kondicionuar sepse e ndihmon përhapjen e virusit”, u shpreh Rama.   

Kreu i qeverisë deklaroi gjatë videomesazhit të tij se masat do të vijnë duke u përshkallëzuar. Ndërkohë theksoi se përveç Tiranës dhe Durrësit do të ndalohen aktivitetet tregtare edhe në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.

Kreu i qeverisë u shpreh se do të mbyllet qarkullimi i mjeteve private si brenda qyteteve ashtu edhe në rrugët nacionale që lidhin Fierin me Vlorën, Fierin me Lushnjen, Shkorën me Lezhën dhe Elbasanin me Korçën.

Ndërkohë, këtë të premte qeveria mori vendimin për mbylljen e kufirit ajror, detar dhe tokësor të transportit me autobusë me Greqinë./tvklan.al