Prezantimin e ish-deputetin Pjerin Ndreu si kandidat për drejtimin e Bashkisë së Lezhës, Edi Rama e quajti një  betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes, duke bërë dallimin mes mazhorancës që në 30 Qershor kërkon të testohet me votë dhe opozitës që sipas tij kërcënon me destabilizim.

“Ata nuk trembin dot askënd, janë të alarmuar nga reforma në drejtësi, nuk e kanë dashur që nga dita e parë dhe nuk e duan as sot dhe paniku i shtyn në një rrugë që vetëm kokën do thyejnë dhe ndonjë xham, po Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i bëjnë dot asgjë. Do i zmbrapsim me forcën e pathyeshme të së drejtës, të durimit dhe qetësisë tonë”.

Rama shkoi edhe më tej kur tha se skenari i opozitës është për t’i bërë vendit një dëm të pariparueshëm në sytë e ndërkombëtarëve.

“Kërkon njerëz për të bërë një turp që do ta bënte këtë vend një skenë barabarësh, duke e katandisur të parin vend në Europë që bën zgjedhje, ku zgjedhjet merren peng nga banditizimi politik që do ta damkoste në sytë e gjithë botës. Këtë duan t’i bëjnë Shqipërisë ata”.

Sipas Kryeministrit, 30 Qershori do t’u japë përgjigjen të gjithë atyre që duan të pengojnë të ardhmen e vendit.

“Pas 30 Qershorit do e shihni sa i ndjek populli”.

Rama foli edhe për projektin e rrugës Milot-Balldren, që sipas tij do ta kthejë këtë në nyjë të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare sipas standardeve më të larta europiane.

Kreu i qeverisë tha se 30 Qershori do të jetë edhe një konfirmim për reformat e kryera nga qeveria.

Tv Klan