“Së shpejti nis faza tjetër e shpëtimit”

Pas Alvin Berishës, tashmë erdhi radha e 4 fëmijëve të tjerë dhe një gruaje që të nxirreshin nga kampi famëkeq i Al-Holit në Siri. Gjysmë Hëna e Kuqe ka arritur të nxjerrë Floresha Rashën dhe tre fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rashën bashkë me të miturin Endri Dumanin.

Në Liban ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, pasi Shqipëria ka qenë pjesë e operacionit për lirimin e shqiptarëve nga Al Hol. Kreu i qeverisë u shpreh gjatë një videoje në Facebook se për të realizuar këtë operacion ka pasur disa momente të vështira. Rama tha se merita u takon personave që janë marrë drejtpërdrejt me operacionin.

Kreu i qeverisë deklaroi se së shpejti pritet të nisë puna edhe për nxjerrjen e shqiptarëve të tjerë të ngecur në kamp. Rama tha se janë identifikuar të gjithë fëmijët shqiptarë në kampin e Al Hol.

“Jam i lehtësuar sepse ishte një operacion i komplikuar. Nesër do të takojmë gjeneralin që ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ne. Por unë dua të veçoj meritën e jashtëzakonshme të dy të dërguarve të posaçëm të Ministrisë së Brendshme, drejtorit të Antiterrorit dhe punonjësit tjetër të policisë që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe në mënyrë shumë të veçantë me një mik të madh tonin, konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban. Na ka ndihmuar për të bërë ato lidhjet le të themi jo aq të lexueshme me faktorët.  

Jam shumë i kënaqur, që nesër paradite bashkë me kalamajtë do të kthehemi në Tiranë. Me ne është Drejtoresha e Shërbimeve Sociale. Kemi ngritur gjithë rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar me kujdesin e nevojshëm. E ëma e fëmijëve të vegjël është në një gjendje të vështirë shëndetësore, ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne. Ajo që është më e rëndësishme është që ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Janë bërë edhe intervistat me gjithë fëmijët që janë identifikuar në kamp. Janë marrë të gjitha të dhënat e nevojshme. Presim sinjalin e fundit për të marrë edhe fëmijët e tjerë. Endri po kthehet, Eva është mirë, por informacionet janë pak të komplikuara.

Kemi një strukturë që është organizuar për gjithë fëmijët nën masa sigurie edhe me psikologë dhe me mjekë për të bërë të gjithë ato analizat e nevojshme në çdo pikëpamje, pastaj dalëngadalë do shohim si do zhvillohen gjërat.

Pjesa më e vështirë e këtij lloj aktiviteti për të nxjerrë pengje, se faktikisht këta janë pengje të liruar nga ajo situatë, është se ti nuk mund të flasësh sepse konfidencialiteti në këtë lloj aktiviteti është baza, përndryshe hidhet në erë gjithçka, sepse nuk është një ndërveprim me një faktor, janë disa faktorë. Nuk kemi ndenjur duarkryq, nuk kemi qenë në gjumë. Kemi punuar në mënyrë intensive prej më shumë se një viti dhe vazhdojmë punën. Ju thashë që kemi bërë një hap të madh përpara. Se kur e materializojmë nuk dihet. Për këta fëmijë deri në momentet e fundit kemi qenë me zemër të ngrirë, sepse ka pasur dy-tre momente të vështira për skuadrën që ka marrë pjesë në operacion dhe tani unë po marr vëmendjen tuaj, por besoj nga gjithë këta që janë të pranishëm këtu, jam i fundit që ka ndonjë meritë, sepse merita kryesore padiskutim që u takon djemve që unë jam sot, patjetër i takon edhe konsullit tonë, Markut”, tha Rama.

Konsulli i Shqipërisë tregon vështirësitë e shpëtimit të fëmijëve dhe gruas nga Al Hol

Një prej personave kyç në operacionet për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga kampi i Al Hol është Konsulli i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb. Ghorayeb ka treguar se puna për shpëtimin e Floresha Rashës dhe tre fëmijëve të saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rashën bashkë me të miturin Endri Dumanin u realizua pas udhëzimeve të mëtejshme të kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Konsulli u shpreh se negociatat për lirimin e tyre ishin të forta dhe të ngjashme me riatdhesimin e Alvin Berishës. Ghorayeb e konsideroi kampin e Al Hol si kampin e ferrit dhe tha se një person kyç për lirimin e fëmijëve ka qenë gjenerali Abaz Ibrahim. Konsulli tha se në vijim pritet që të kthehet edhe pjesa tjetër e jetimëve, ndërsa personat që kanë kryer krime do të japin llogari para autoriteteve.

“Shpresoj të flas shqip herën tjetër se jam duke mësuar. Do doja t’ju thoja që në fillim se një dorë nuk mund të përplaset. Kam punuar fort qëkur mora dritën jeshile nga Kryeministri Edi Rama, puna vijoi në bazë të udhëzimeve të mëtejshme që na dha ministri Lleshaj. Është shpenzuar shumë kohë që nga koha kur u riatdhesua Alvin Berisha, së bashku me drejtorin e Antiterrorist në Policinë e Shtetit, Gledis Nano dhe Indritin. Nuk dua të përsëris që kanë ndodhur, por dua të theksoj se ishin negociata të forta, të ngjashme me kthimin e Alvin Berishës. Pastaj kryeministri më dha mua një leje të posaçme për të vazhduar më tej këtë punë, për të sjellë në shtëpi këta fëmijë, të cilët ishin në një kamp, që quhet kampi Al Hol, por në fakt do doja të theksoja se është kampi i ferrit. Filluam negociatat një vit më parë dhe koronavirusi u shfaq dhe së bashku me gjeneralin Abaz Ibrahimi, ne e forcuam marrëdhënien, i cili u dha urdhër gjeneralëve të tij që ta shikonin këtë çështje ditë për ditë. Ka qenë e vështirë, se kemi qenë me makina të blinduara e njerëz të armatosur, sepse zona ka prezenca të ISIS. Ata na dhanë 25 forca të armatosura për të qenë me ne për të na shoqëruar. Nuk duhet të humbas meritat për këta dy oficerë. Oficerët e Antiterrorit kanë qëndruar plot 4 javë, nuk kanë parë fëmijët e gratë e tyre, ndërsa ne kemi qëndruar në provincën Kamishli për një javë. Për sa i përket fëmijëve të tjerë do të sjellim pjesën e tjetër të mbetur të fëmijëve jetimë dhe grave të cilët nuk janë të përfshirë në krime. Të gjitha ata gra e baballarë që janë të përfshirë në krime do të japin llogari përpara autoriteteve dhe më pas do të shikojmë”, tha ai.

Apeli i drejtorit të antiterrorit: Të transmetohen pamjet nga kampi i ferrit, shqiptarët nuk e meritojnë

Drejtori i antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, ka qenë prezent në operacionin për shpëtimin e Floresha Rashës dhe tre fëmijëve të saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha bashkë me të miturin Endri Dumanin. Ai është shprehur se shumë i lumtur për këtë arritje ndërsa pati një apel shumë të rëndësishëm për mediat.

Ai bëri thirrje që të transmetohen pamjet që Ministria e Brendshme ka regjistruar brenda kampit Al Hol për të treguar që asnjë shqiptar nuk meriton të jetojë aty.

“Çështja e sigurisë është çështje parësore dhe vetë ekipit që udhëtojnë në terren dhe kjo na bënte të ndërmerrnim hapa shumë të matur pasi misioni jonë nuk ishte thjeshtë për të shkuar në kamp, për të udhëtuar atje, por misioni kryesor ishte për t’u rikthyer me një rezultat pozitiv, që  unë them se e kemi arritur për ta pasur sot pasi hapat e tjerë do i ndjekim në vazhdim. Dua të përmend shumë shkurt është që do doja shumë që ato pamje që janë regjistruar dhe kemi parë në kampin Al Hol të transmetohen. Kjo për t’u treguar shqiptarëve që nuk kanë lidhje fare me atë jetë atje dhe kjo nuk është një jetë që shqiptarët e meritojnë atje. Ne do të përpiqemi t’i kthejmë që ata të jetojnë të lumtur siç u takojnë dhe siç dimë të jetojmë. Atje siç e përmendi konsulli është kampi i ferrit dhe jo kampi Al Hol”, tha Nano./tvklan.al