Në krah të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Luksemburg, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e tij veçanërisht ndaj Presidencës polake të BE-së dhe Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos. Bëri një përmbledhje kronologjike të konferencave ndërqeveritare të mëparshme, për të treguar kështu rrugëtimin pozitiv të Shqipërisë drejt familjes europiane.

“Më lejo të bashkohem me ju në shprehjen e ngushëllimeve për miqtë tanë ukrainas. Mbështes çdo fjalë që në mënyrë kaq elokuente thatë për atë çfarë ka ndodhur jo fort larg prej këtej, në tokën europiane si një krim i pamohueshëm lufte. 6 muaj më parë qëndroja po në këtë sallë, më pas çelëm bisedime për grup-kapitullin e 6-të dhe sot jemi prapë këtu për çeljen e një tjetë grup-kapitulli. Nuk mundem të mos shpreh fjalë mirënjohëse për Presidencën polake për palëkundshmërinë për ta çuar përpara këtë proces. Në një mënyrë kaq pa pengesa saqë duket vërtet diçka që është suprizuese për ne, duke marrë parasysh prej nga vijmë dhe betejat me të cilat jemi përballur. Falenderimet shkojnë si përherë për Komisionin Europian dhe Marta Kos, e cila dikur thyente rekorde duke çarë ujin dhe u bë kampione e vendit të saj, tanimë është bërë kronometri i vendeve tona dhe siguhrohet që çdo lëvizje të na çojë para me disiplinë”, tha Rama.


Ai bëri me dije se synohet që grup-kapitujt të jenë mbyllur brenda vitit 2027.

“Së bashku me Komisionin dhe nën udhëheqjen disiplinore të Kos, kemi rënë dakord për një axhendë mjaft ambicioze. Po presim me padurim të sigurohemi së bashku që brenda 2027-ës të gjithë grup-kapitujt të jenë mbyllur. Jemi këtu sot për të rikonfirmuar vendosmërinë dhe pasionin tonë të plotë për të arritur këtë objektiv. Jam i sigurt që të dy miqtë e mi krah meje, por edhe të gjithë ju ta kuptoni që për Shqipërinë anëtarësimi në BE është shumë më tepër se ambicie politike apo ekonomike, është çështje ekzistenciale. Nga një vend që nuk jemi lejuar kurrë të zgjedhim tek një e ardhme që gjithmonë kemi dashur ta kemi. Barazia jonë para ligjit dhe mënyra e jetesës për fëmijët tanë e brezat e ardhshëm nuk mund të garantohet askund tjetër përveçse brenda BE-së“, përfundoi ai.

/tvklan.al