Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet në një takimin në Memaliaj, ku u shpreh se tashmë është koha që shqiptarët të vendosin për Shqipërinë europiane.

Rama gjatë fjalës së tij nënvizoi se 11 Maji është koha që të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë.

“Është një zgjedhje, mes Shqipërisë në Europë, apo me bufin e kënetës prapë në gropë. Unë  e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë shumë për fjalime se flini dhe ngryseni me politikë, në këtë zonë nuk ka nevojë as të hapë gojën ai që vjen për të kërkuar mbështetje, sepse ju e ndiqni përditë jetën politike të këtij vendi. E keni pasur gjithnjë këtë. Por unë dua t’u them ktheni kokën pas, mbyllni sytë dhe shikoni se ku ishte Tepelena, Memaliaj qarku i Gjirokastrës kur ne morëm detyrën falë mbështetjes tuaj.

Ne këtu jemi të gjithë të barabartë dhe të gjithë një, nuk ka heronj e të tjerë. Unë nuk jam heroi juaj, jam kali që keni zgjedhur të tërheqë karrocën. Për t’ju shërbyer dhe për të bërë histori së bashku dhe të përmbyllim një kalvar të gjatë që fillon nga shumë larg, nga koha kur Gjergj Kastrioti na e përcaktoi se nga duhet të shikonim, nga Europa dhe jo nga Azia.

Më 11 Maj na ka ardhur ne, fati e ka dashur që të na vijë fati ne shqiptarëve dhe mundësia të bëjmë histori bashkë. Të përmbyllim një kalvar të gjatë. Është koha që të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë. Ajo pasaportë i jep fund ndarjes tonë kur shkojmë jashtë në një korridor të veçantë, kur na pyesin ku shkon e kur do ikësh. I jep fund ndarjes së fëmijëve tuaj kur shkojnë të studiojnë jashtë si të huaj nga ata që janë evropian dhe i bën edhe fëmijët tanë fëmijë europianë”, tha Rama./tvklan.al