Afate për verifikimin e kandidateve dhe vetëdeklarimeve të punonjësve shtetërore

Një ditë pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit për të marrë detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës, kryeministri Rama reagoi ashpër, duke sqaruar se, edhe pse ngjarja e ndodhur 19 vjet më parë në Itali nuk e bën atë kriminel, fshehja e saj është e patolerueshme.

Vetëdeklarimi i rremë, thotë kryeministri, ka sjellë pasoja të pajustifikueshme për vetë qytetin e Shkodrës dhe Partinë Socialiste që i dha besimin Valdrin Pjetrit për të qenë në krye të bashkisë, ndaj duhet të marrë të gjithë përgjegjësitë.

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrsesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”.

Duke theksuar se deklarimi i rremë s’mund të ketë kosto kolektive, kryeministri thotë se me ligjin aktual asnjë parti nuk arrin dot të verifikojë të shkuarën e kandidatëve. Për këtë arsye Rama propozon ndryshime ligjore për verifikimin e tyre dhe të gjithë zyrtarëve apo funksionarëve të administratës.

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.

Fill pas publikimit nga Partia Demokratike të dokumentave për dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali, kryeministri tha se rrugët e Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut të zgjedhur socialist të Shkodrës ndaheshin deri në sqarimin e të vërtetës ligjore.

Ndërsa vetë Pjetri fillimisht i pati mohuar akuzat e opozitës, por pas publikimit të disa dokumentave të policisë italiane, ai sqaroi se bëhej fjalë për një ngjarje banale për të cilën nuk kishte faj e të cilës nuk i kishte kushtuar asnjë rëndësi.

Tv Klan