“Nga mediat, Presidenti i Republikës, opozita e deri tek avokati i popullit”

Teksa në Kuvend po diskutohej rreth aktit normativ të qeverisë siç njihet ndryshe paketa AntiKÇK, kryeministri Rama tha se është ngritur një koalicion i fuqishëm në mbrojtje të kriminelëve. Kreu i qeverisë deklaroi se në këtë koalicion bëjnë pjesë njerëz të medias, Presidenti, opozita e Avokati i Popullit.

“Si ka mundësi që kur shfaqet më e thellë dhe më e fortë se kurrë vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar ngrihet një koalicion kaq i fuqishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat deri tek i ashtuquajturi President i Republikës, nga opozita deri tek Avokati i Popullit për t’u qarë hallin këtyre të shkretëve që kanë vrarë dhe kanë përdhunuar, kanë grabitur pronat sa kanë mundur, që kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit dhe që me demek tani po dhunohen”, tha Rama.

Rama deklaroi se nuk ishte aspak i befasuar nga kjo përkrahje e befasishme ndaj krimit.

“Nuk jam befasuar nga përkrahja e befasishme që ka gjetur as më shumë e as më pak elita e krimit të organizuar sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortje që e ka kollovitur Shqipërinë 3 dekada me radhë, që e ka tollovitur jetën publike 3 dekada me radhë dhe që falë e të gjithë horrave dhe hipokritëve me kostum që kanë pasur një mikrofon në dorë e ka bërë horr Shqipërinë edhe në sytë e shumë njerëzve që shqiptarë nuk janë, por që shkruajnë dhe hedhin helm me kënaqësinë më të madhe për vendin tonë.

Turp nuk iu vjen fare gjithë këtyre njerëzve që kanë një mikrofon në dorë, që kanë mundësi të dalin në ekran dhe janë bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e këtyre, apo në drejtim të atyre që nuk janë çuar akoma duke çuar mesazhin që ne jemi me ju”, tha Rama./tvklan.al