I riu thyen karantinën dhe infekton prindërit e moshuar

Kreu i ekzekutivit Edi Rama, në një postim në Facebook ka njoftuar se një çift të moshuarish që janë infektuar me Covid-19, rezulton se janë infektuar nga djali i tyre i cili theu rregullat dhe nga Tirana udhëtoi për tek ta.

Rama thotë se ky është një lajm i keq dhe se duhet të vlejë si mësim për të gjithë, ndërsa bën thirrje që të mos neglizhohet dhe as shkelen rregullat e karantinës.

“Një lajm i keq nga testimet e djeshme, që duhet të vlejë si mësim për të gjithë.

Djali me Covid19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!!

Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?!

A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!

Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve: Mos, mos, mos.

Stop me hilet e me karagjozllëqet, sepse mund të bëheni mosozot, vrasës të njerëzve tuaj më të shtrenjtë”. /tvklan.al