Kryeministri nuk do të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të tij nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. E pyetur nga Tv Klan, Drejtoria e Informimit të Mediave i përcolli përgjigjen e kryeministrit Rama me hapat që do të ndërmarrë pas këtyre zhvillimeve.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë te jemi garantë te palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo”.
Rama nuk e sheh dosjen e Veliajt si çështje konkrete të korrupsionit, por një trillim artistik që ka prodhuar një roman policor nga akt akuza e që ngre dyshimet e tij për kapërcim të kompetencave kushtetuese nga ana e SPAK-ut.
“Nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, po jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për te dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë”.
Më tej në përgjigje thuhet se qëndrimi 5-vjeçar i Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten e tij.
Tv Klan