“Janë ndihmuar mbi 14 mijë familje nga forcat e ushtrisë”

Përpara shqiptarëve Kryeministri Rama u shfaq me një ndjesë publike lidhur me videon e postuar një ditë më parë, ku sipas tij pamjet i përkisnin Algjerisë dhe jo Spanjës.

Por pavarësisht vendndodhjes, i prerë ishte teksa ripërsëriti se nuk do të tolerohen xhirot apo grumbullimet nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13:00.

Frika e penaliteteve duket të ketë ndërgjegjësuar qytetarët të respektojnë fashat e ndalimit të lëvizjes.

Të gjithë atyre që e kritikojnë për ndryshimin e fashave të orareve, u tha se deri në ngritjen e një sistemi për kontrollin e lëvizjes janë të detyruar të mos shkelin asnjë masë.

Mesa duket nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë as për qejf, por janë orare të imponuara nga nevojat e përballimit të një lufte që kërcënon të na marri me vete. Dhe nuk e kuptoj çfarë lidhje kanë oraret me tregjet dhe me rregullin të mos rrimë të shoqëruar, të mbajmë radhë në rresht njëri pas tjetrit. Disa thonë të mbyllemi për dy javë deri sa të mos dalë asnjëri. Po mirë, po për të ngrënë si do ja bëjmë? Pse të mos zbatojmë rregullat dhe pse të mos na mjaftojmë 8 orë për të blerë bukën. Nesër e më tej forcat tona të rendit nuk do të tolerojnë askënd se grumbullimet pa rregull dhe xhirot nëpër rrugë janë ta paligjshme, janë të rrezikshme dhe janë të patolerueshme në këtë luftë”.

Më i ashpër ishte me ata që e cilësojnë show operacionin humanitar të shpërndarjes së ndihmave për njerëzit në nevojë nga ana e ushtrisë.

I bindur se në këtë luftë Shqipëria do ia dalë, Kryeministri falenderoi veçanërisht qytetarët të cilët janë mbyllur në banesat e tyre në respekt të masave të ndërmarra nga autoritetet për parandalimin e COVID-19.

Tv Klan