“OKB të angazhohet në parandalimin e sulmeve kibernetike”

Fjalën e tij 19-minutëshe përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama e nisi me atë që po ndodh në Ukrainë. Kreu i qeverisë shqiptare dënoi agresionin rus ndërsa tha se Tirana nuk do të njohë referendumet që Moska po mban në zonat e pushtuara.

Referendume farsë po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk njohim asnjë prej këtyre paligjshmërie”.

Një agresion po aq të rëndë, Rama quajti edhe sulmet kibernetike me të cilat përballet Shqipëria prej Korrikut. Duke e akuzuar edhe një herë Iranin se qëndron pas tyre, Rama tha se OKB duhet të angazhohet seriozisht në sigurinë kibernetike.

“Ne u bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Këshillit të Sigurimit, të përqëndrohet më seriozisht dhe më konkretisht për të trajtuar sigurinë kibernetike, duke investuar në parandalim dhe duke ndihmuar të gjitha shtetet anëtare që të ndërtojnë qëndrueshmëri e rezistencë”.

Ballkani ishte një tjetër moment ku Rama u ndal gjatë. Akuzat e Gjykatës Speciale të Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Rama tha se u ngritën pa asnjë provë ndërsa raportin e Dick Marty e quajti dështim.

As edhe një fjalë e vetme e gjithë akt-akuzës që vijoi nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë. ne mendojmë që dhe shpresojmë që, saktësisht, Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues”.

Duke kërkuar nga të gjithë njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Rama thotë se nisma Ballkani i Hapur mund të ndihmojë edhe në afrimin mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të krijuar nismën e Ballkanit të Hapur, një platformë e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit, jo vetëm ne të tre, por për Malin e Zi, për Kosovën, për Bosnjen, për Turqinë, për Greqinë e më tej, një investim për gjithkënd si pjesë e projektit më të gjerë të përbashkët europian. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur vetëm sa do të ndihmojë të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, të shqiptarëve dhe të serbëve, të Kosovës dhe Serbisë por edhe për rajonin dhe Europën më gjerë”.

Rama tha se Shqipëria do të mbetet e angazhuar për të nxitur dialogun në zgjidhjen e konflikteve.

Një proverbë shumë të bukur afrikane që thotë gjithçka për Kombet e Bashkuara, “Nëse do të ecësh shpejt, ec vetëm. Nëse do të shkosh larg, ec krah për krah me të tjerët”.

Tv Klan