Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke përmendur disa prej arritjeve të qeverisë së tij, të cilat i ka përmbledhur në një video të publikuar në Facebook.

Në mesazhin e tij, Kryeministri thotë se nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e mandatit të dytë, dhe as vetë nuk është i kënaqur, por përmend edhe vështirësitë me tërmetin e 26 Nëntorit 2019 dhe pandeminë e koronavirusit.

E megjithatë, Rama thotë se puna për përmbushjen e pritshmërive duhet të vijojë.

Kemi marrë goditje të rënda dhe jemi përballur me sfida të mëdha. E di që disa prej jush jeni të pakënaqur që nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e këtij mandati të dytë. As unë s’jam i kënaqur, jo sot, por asnjëherë! Por të mos harrojmë çfarë kemi hequr në çdo hap në këto kohë kaq të mallkuara. Paga minimale është rritur me një të tretën, plot 36% që nga fillimi i punës nën drejtimin tonë. Bluzat e bardha dhe mësuesit paguhen sot shumë më mirë. Taksa për afro 100 mijë biznese të vogla është bërë zero. Kantieret e ndërtimit janë më të shumtë se asnjëherë tjetër nëpër të gjithë Shqipërinë. Nga ky Janar paga minimale sapo u rrit me 15%. Ka nisur aplikimi për naftën pa taksa për 70 mijë fermerë të regjistruar. Pavarësisht krizave reale dhe të thella nga tërmeti deri te pandemia dhe pengesave artificiale e të shumta nga politika, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara. Për të gjithë ata që duan të punojnë, jo të flenë apo të shikojnë me sy hapur ëndrra që i kanë zhgënjyer shqiptarët më shumë se njëherë, nuk ka kohë për pushim”, shprehet Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al