Një protestë e thirrur të hënën përpara kryeministrisë nga gazetarët, pas përjashtimit që i bëri një përfaqësuesi të medias nga konferencat e tij për shtyp ka sjellë reagimin e kreut të qeverisë.

 Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama shkruan se, nuk do të pranojë asnjë kërkesë të gazetarëve që legjitimon lirinë e shkeljes së normave etike në konferencat e tij për shtyp.

Sipas Kryeministrit në epokën e rrjeteve sociale liria e shpifjes dhe fyerjes ka marrë përmasa katastrofike, ndaj dhe I kërkon medias që të vetërregullohet, pasi nuk do të lejojë shkeljen sipas tij të asnjë norme etike në daljet për shtyp.

“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë”, shkruan Rama.

“Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur”, shprehet më tej Rama në Twitter.

Kujtojmë që në konferencën për shtyp të premten, kryeministri Edi Rama përjashtoi një gazetar pas pyetjes që ky i fundit i bëri ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

“Do kalosh në riedukim për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit ndërkohë vazhdon mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, përgjigjet e radhës do e marrësh pas tre muajsh, në Tetor hajde”, shprehej Rama gjatë asaj konference drejtuar gazetarit. /tvklan.al