Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se nuk ka sulmuar askënd në lidhje me kritikat që ka bërë ndaj BE-së për procesin e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor. Ai u shpreh se si përfaqësuesi i zërit të  shqiptarëve ka  ngritur zërin.

Rama solli në vëmendje deklaratën e OBSH, sipas të cilës bota është duke shkuar në prag të një katastrofe morale për njerëzimin në lidhje me shpërndarjen e vaksinave.

Rama tha se është “europian të paktën sa ata që flasin në emër të BE-së”. Ai akuzoi edhe opozitën për karakter të dobët në lidhje me këtë çështje. Sipas kryeministrit, kur ishte në pushtet opozita është përulur me servilizëm ndaj ndërkombëtarëve.

“Sa i përket vaksinës antiCovid unë nuk kam reflektuar, për këtë duhet të reflektoni edhe bashkë me opozitën dhe ata që kanë një sjellje antiCovid në këtë rast, ishte një lapsus i mirëseardhur. Nuk kam bërë asnjë sherr me BE dhe nuk më ndalon askush që të them opinion tim. Mos u merrni me opinionin tim merruni me opinionin e OBSH. Po jepja një shembull se pse unë kam të drejtë në këtë rast dhe nuk kanë të drejtë ata që kanë reaguar. Nuk ka të drejtë as ambasada franceze, opozita jo e jo. Shembulli im është ai i OBSH. Merreni, lexojeni, çfarë ka thënë OBSH për shpërndarja e vaskinave. Ka shkuar shumë më larg se unë. Ka thënë jemi në prag të një katastrofe morale për njerëzimin. Nuk kam kaq largpamësi dhe nuk jam kaq i madh sa të shprehem me terma ka globalë, por nëse e shikoni të paarsyeshme që unë si përfaqësuesi juaj të ngre zërin për ju më vjen keq për ju, por ju siguroj që nuk mendojnë kështu të gjithë shqiptarët. Fakti që ne jemi të vegjël, fakti që nuk jemi të pasur, fakti që sëbashku me të tjerët në këtë rajon nuk jemi pjesë në BE nuk na bën të rrimë me gojën mbyllur përpara një fakti të tillë që është i qartë. Nuk jam kryeministër i vendit të BE-së, por jam europian të pakën sa ata që flasin në emër të BE-së. Të qënit tim europian nuk e ndryshon askush dhe as pozicioni im jam kryeministër apo thjesht një qytetar i lirë i këtij vendi që kam një zë. Çfarë thashë unë që u mërzitën këta? Çfarë thashë dhe çfarë nuk duhet të thoja. Është çështje karakteri. Opozita me reagimin e vet ka treguar karakterin e vet, karakter i dobët, i atyre që kur kanë pasur pushtetin i janë përulur e servilizëm kujtdo që kanë folur me gjuhë të huaj. Unë nuk hyj në këtë kategori. Kjo që them nuk do të thotë aspak mungesë respekti, por dashuria për Francën dhe admirimi për Francën, konkurroj me çdo francez, edhe me ambasadoren, por nuk jemi këtë në garë kush e do BE-në më shumë. Ka pasur edhe një humbje në rrugën e përkthimit. Unë kur kam sjellë si shembull Francën, nuk kam dashur të ilustroj me Francën vendimin e KiE-së që është vendim i gabuar”, tha Rama. /tvklan.al