Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se nuk ka përgojuar BE-në sa i përket kritikave të tij për procesin e vaksinimit. Përkundrazi, ai u shpreh se ato që ka thënë, sot po i thonë të gjithë. Ai deklaroi se flet për të gjithë shqiptarët. Kreu i qeverisë tha se ky është dallimi “mes vendeve që kanë parti serioze dhe vendeve ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët”.

“Unë nuk kam përgojuar BE-në, por kam thënë atë që po thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë po thotë Presidentja e KE-së? Po përgojon Europën ajo? Po pse kur unë që nuk flas për shtëpinë time, por flas për të gjithë. kur flasim këtu për programet politike është normale që unë flas për një palë, ti për një tjetër. Kur flasim për të tjerët, unë flas dhe për ty. Ky është dallimi mes vendeve që kanë parti serioze dhe vendeve ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu bëhet fjalë për njerëzit tanë”.

Rama tha se opozita furnizon me informacione të pavërteta ndërkombëtarët.   

“U krijua nga një qasje dritëshkurtër e palogjikshme dhe shiko ku janë rezultatet. Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i PE-së BE-në nga unë, nuk është e nevojshme. E mbroj vetë BE-në më mirë se çdo koordinator i BE-së, le të jetë gjerman, holandez, spanjoll, ç’të dojë. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana, mbështeten nga Tirana, prandaj janë mësuar të flasin kështu. Nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Me kë flet ai, me një shokun e vet? Ku është në kafene? Në Babrru apo Bruksel që tregon kushtet dhe parakushtet kur ne flasim për shëndetin dhe vaksinën. Këto dokrra janë produkt Made in Albania, jo Made in Germania”./tvklan.al