Kryeministri Edi Rama nga Durrësi i është përgjigjur edhe njëherë atyre që kanë akuzuar qeverinë se ka vjedhur fondet e tërmetit të dhëna nga Bashkimi Evropian. Në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të Trashgimisë Kulturore, Rama tha se fondet menaxhohen nga vetë Bashkimi Evropian dhe nuk iu dhanë Shqipërisë në thes.

Përsa i përket fondeve, një pjesë e atyre që sytë i kanë po nuk duan të shohin, veshët i kanë po nuk duan të dëgjojnë, mendjen e kanë po nuk duan që ta vënë në punë, se fondet e sjella nga donatorët administrohen nga vetë donatorët. Këshilli Evropian me një strukturë të posaçme UNOPS do të administrojë nga pikëpamja tekniko-financiare të gjithë programet e rindërtimit ë trashëgimisë dhe shkollave.

Administrimi i taksave të evropianëve është përgjegjësi e vetëm e tyre. Kush thotë se kush i vodhi paratë, ku shkuan paratë, duhet të hapi mendjen për të dëgjuar këtë të vërtetë. Të gjitha fondet administrohen prej tyre. Nuk na lanë një thes dhe ne e morëm e tretëm, siç u thotë mendja atyre që i morën paratë në të shkuarën dhe kujtojnë se janë të gjithë si ata. I kërkoj ndjesë partnerëve për këtë sqarim të domosdoshëm”, u shpreh Kryeministri.

Rama më tej nuk kurseu një falenderim për Bashkimin Evropian dhe për ambasadorin, Luigi Soreca lidhur me punën për procesin e rindërtimit në Shqipëri./tvklan.al