Kuvendi vijoi punimet edhe gjatë pasdites këtë të hënë. Në pjesën më të madhe të kohës, pati replika të shumta mes deputetëve demokratë dhe Kryeministrin Edi Rama…  Ky i fundit iu kundërpërgjigj secilit. Më i ashpër duket se u tregua me Bujar Leskajn, që e akuzoi për hipokrizi sepse sipas kreut të qeverisë, flet për heronj e ndërkohë “ngre flamurin që ka damkën e SHBA”.

“Kjo ka lidhje me kush jemi ne dhe kush jeni ju politikisht, jo personalisht. Mos e politizo thotë, po pse për ça jemi ne këtu, për ça kemi dalë këtu ne? Se ti për çfarë del këtu dhe me demek kujton heronjtë? Se bën ti për, se je person politik? Pse je person politik e bën, çfarë të mos politizoj. Del këtu edhe bën sikur mban pishtarin e kujtesës. Pishtari i kujtesës mbahet me vepra, nuk mbahet me llafe. Pishtari i kujtesës mbahet duke i bërë hyzmetin aspiratave, qëllimeve dhe amanetit të atyre që të bëjnë ty të ndjehesh këtej apo andej, i tillë apo i këtillë. Çfarë pishtari mban? Dhe për më tepër ti që mban krahun e pishtarit antiamerikan sot. Si mund të dalësh ti këtu të flasësh për Xhelal Koprenckën e për Fadil Kokomanin e ku di unë se kë tjetër, dhe ti ngre flamurin e rreckosur me damkën mu në mes, në vend të logos së PD, ai flamur që ngre ti ka damkën e SHBA, do ti, s’do ti”.

“E kë bëni për budalla ju? Po s’ke përgjegjësi ti që del ndihmon që të bësh për budalla një sado qoftë numri i atyre demokratëve që vijnë pas teje, pas tjetrit. Po ku i çoni ju ata? Kujton se kam hallin tim? Kujton se kemi hallin tonë? Po të jetë puna për mua e për ne, nga pikëpamja cinike e praktike, në fakt ti duhesh dekorua, bashkë me të gjithë ata që e mbajnë atë flamur. Po meqë del këtu dhe bën atdhetarin, vetëm atdhetari nuk është ajo. Ajo është një poshtërsi e pashoqe, me pasoja të jashtëzakonshme në vite të tëra, jo për PD, por për gjithë shoqërinë tonë”.

“Dhe prandaj kjo teoria e moralit të madh antikomunist, bie poshtë komplet, është një farsë e madhe, është një tallje e madhe, një pështirosje e madhe, sepse minimumi ai zotëria (Berisha) që iku duhet të kujtohet që në këtë sallë, vetëm 1 ka qenë sekretar i Partisë Komuniste, s’ka një tjetër, 1, që edhe i vdekur ti prapë e do, se s’të ndahet shpirti prej tij. E vini na tregoni këtu, jo baballarët tuaj, jo të recitoj poezi. Ç’poezish më reciton ti mua, kur ti mban të vdekurin mbi krahë o lumëmadh, edhe e merr e ngre edhe në Vlorë në krah, po s’të vjen zor more. Ja vetëm për këtë ty do të ndjekë këmba-këmbës hija e të gjithë atyre që përmende këtu sepse e meriton. Sepse je një hipokrit dhe jeni të gjithë hipokritë, sepse nuk ju përputhen fjalët me veprat, është shumë e thjeshtë. Po të bëhej me vepra atëherë do ngrihesha unë në këmbë e do thosha të nderojmë ata që kanë vdekur, të nderojmë dhe Leskon sepse na i kujton, edhe e shyqyr që e kemi gjallë. Por këmba-këmbës do të ndjekë hija e tyre ty”./tvklan.al