Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria i ka përmbushur detyrat e saj  për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ndonëse se fsheh skepticizmin e disa prej vendeve anëtare të Këshillit që pritet të japë edhe verdiktin final në 30 Qershor. Ajo që më së shumti e shqetëson në këtë proces është baltosja, që sipas tij vendit po i vjen nga opozita në kancelaritë perëndimore.

 “Shqipëria i ka plotësuar detyrimet për të hapur negociatat me BE. Jemi në kushtet kur nga brenda vendit u jepet forcave që janë kundër zgjerimit e që se mirëpresin çeljen e negociatave një ushqim kundër interesave të këtij vendi.”

Dhe kur flet për detyra të përmbushura, ndërkombëtarëve që disa herë i janë referuar si model për rajonin vettingut në drejtësi, u kujtoi se në rrjetën e këtij procesi kanë përfunduar jo pak peshq të mëdhenj.

 “Çfarë lloj peshqish janë ata që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, të vegjël?”

Opozitës, e cila proteston në sheshe për largimin e tij i ripërsëriti ftesën për t’u bërë pjesë e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, si e vetmja urë dialogu me maxhorancën.

“Ata kanë një karrige vëzhguesi në komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të kontribuojnë madje edhe të vendosin veton për gjëra që s’janë dakord se ne nuk duam që ata të asgjësohen, por t’i mundim në 2021 me rregulla po të dakordësuara.”

Hyn apo jo opozita e Lulzim Bashës në zgjedhje për Kryeministrin është një vendim që nuk e shqetëson aspak, teksa këtij të fundit nuk i’a kursen ironinë kur flet për zgjedhjet e ardhshme.

“Futen apo jo ne zgjedhje detyra jone është të fitojmë një betejë të madhe aspak të lehtë. Nuk duam ta asgjësojmë PD por ta mundim…Deri në 2021 kanë kohë të përmirësohen dhe të përmirësojnë dhe selfiet nga vetura dhe pastaj në përballje elektorale të shohin se çfarë mendon populli.

Kam bindjen se ata të cilët nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke penguar negociatat do marrin pushtetin në Shqipëri do të zhgënjehen thellë, siç janë zhgënjyer edhe në të shkuarën, sepse jemi ne që do t’i hapim negociatat, jemi ne që do t’i fitojmë zgjedhjet dhe jemi ne që do ta fusim Shqipërinë në BE. Mbajeni mend këtë që po ju them sot. Nuk e di unë kur do të futet Shqipëria në BE, sepse kjo nuk varet vetëm nga ne, ju e shikoni vetë se çfarë debatesh bëhen tani për fushatën evropiane dhe bëjnë debat a futet a nuk futet njëri shtet apo tjetri në BE deri në vitin 2025. Unë nuk e di kur do të ndodhë, por di që deri kur të ndodhë, PS do jetë këtu dhe do të jetë shumicë

.”

Tv Klan