Rama: Nuk pranoj ndërkombëtarë për t’u marrë vesh me opozitën

Posta

Rama: Nuk pranoj ndërkombëtarë për t’u marrë vesh me opozitën

20:49 25/09/2019

“Gjermania, PO hapjes së negociatave të anëtarësimit”

Nga Nju Jorku ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Rama i përgjigjet kërkesës që opozita jashtë parlamentit bëri në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore për ngritjen e një trupe ku të marrin pjesë edhe ndërkombëtarët. Por Rama është i prerë kur thotë se kjo është një çështje që i takon klasës politike pa përkthyes të huaj.

“Çka tani për ne është prioritet i prioriteteve është kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR. Për këtë do të duhet harmonizim patjetër edhe me OSBE/ODHIR dhe me partnerët, ndërkohë që strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë”.

Rama thotë se Reforma Zgjedhore është urgjente dhe se për miratimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR nuk është nevoja e partive që dogjën mandatet.

“Për pjesën e parë nuk ka nevojë për opozitën jashtëparlamentare dhe nuk besoj se opozita jashtëparlamentare është kundër, sepse ato janë rekomandime të shkruara e bardha në të zezë dhe nuk kemi se çfarë të diskutojmë, siç mund të diskutojmë për të tjera aspekte që lidhen me sistemin, që lidhen me të tjera ide dhe sugjerime”.

Vendimin e grupeve të mazhorancës në Bundestagun gjerman CDU-CSU dhe SPD për çeljen e negociatave e sheh si një dritë jeshile dhe thotë se tashmë i gjithë procesi bazohet mbi kushte.

“Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO” për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë përmbushje kushtesh”.

Rama zbuloi edhe fjalët që i kishte thënë Presidenti amerikan Trump gjatë fotos ceremoniale.

“Patëm një bisedë të shkurtër, sepse i tillë është formati, por të këndshme dhe të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese, sepse të dëgjosh nga goja e Presidentit “Albania is doing pretty good” është kënaqësi”.

Rama zbuloi detaje nga takimi me homologun grek Kyriakos Mitsotakis për të cilin tha se ka vullnet pozitiv nga të dyja palët për të çuar përpara diskutimet për çështjet e mbartura. Ndërsa në takimet me Presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Rama tha se është folur për krijimin e një Shengeni rajonal pjesë e të cilit duhet të jetë edhe Kosova.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi