“Na besoni mandatin e tretë që të përfundojmë punët që nisëm”

Ishte në Fier për të ftuar qytetarët që kanë dëshirë për të qenë pjesë e Partisë Socialiste, që t’i bashkohen nismës “Deputeti që duam”, por shumicën e fjalimit të tij e përqendroi te mënyra se si po e menaxhon qeveria situatën e pandemisë. Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përhap panik te qytetarët, e sidomos tek të moshuarit, duke dhënë një realitet të pavërtetë se sistemi spitalor ndodhet në kolaps.

“Sot kam marrë një mesazh nga dikush që ju e njihni, personalitet në një moshë të thyer, më shkruante se më në fund kam mundur të fle gjumë pasi pashë realitetin e spitaleve, sepse kisha frikë se nuk do të gjeja shtrat. Nga se? Nga barra e tmerrshme mendore që i ka ngarkuar atij dhe si atij një masë dërmuese shqiptarësh sidomos atyre në moshë të thyer opozita, duke thënë që s’ka vende, s’ka oksigjen, ilaçe, që mjekët po vdesin. Nuk është e vërtetë.”

Edi Rama pranoi se shumë projekte të Partisë Socialiste kanë mbetur në mes, e pikërisht për këtë kërkoi votën e qytetarëve për një mandat të tretë, për të mos patur kthim prapa.

“Është një ndryshim i papërfunduar që duhet të përfundojë se janë të gjitha në mes. Bie dakord me të gjithë ata që jo për arsye mllefi e duan Shqipërinë më mirë, por këtë punë o e mbarojmë ne, o të tjerët e kthejnë se prapthi prapë.”

Rama tha se nga viti i ardhshëm, biznesi i vogël do të jetë pa taksa e se do të marrin fund inspektimet e tatimorëve, pasi çdo kontroll do të bëhet online.

Tv Klan