Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish sot akuzave të opozitës në lidhje me aktin normativ për qiratë, se kjo gjë do të krijojë konflikt me qytetarëve.

Kreu i qeverisë i quan opozitarët si “hanxobanxho”, që sipas tij është dikush që përveçse nuk ndryshon mendim përballë faktit, nuk ndryshon as argument.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama thotë se opozita po vazhdon të merret me qeverinë pasi synon të nxisë mllef dhe përçarje mes popullit e qeverisë dhe nga ana tjetër synon të shkatërrojë arkën e shtetit për të nxitur rrëmuja si në 97-ën.

Kreu i qeverisë jep sipas tij dy shembuj që kanë vepruar si Shqipëria sa i përket pagesave të qirave, Gjermania dhe Franca.

“Gjermania – Mospërmbushja e detyrimit kontraktor të pagimit të qerasë që rrjedh nga një kontratë qerasë, nuk përbën shkak për qiradhënësin të zgjidhë kontratën. Pamundësia e përmbushjes së detyrimit të pagesës së qerasë për periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2020 lidhet me gjendjen e shkaktuar nga COVID -19. Ky parashikim nuk mund te interpretohet ne dëm të pronarit.

Franca – Nuk mund të ndëshkohen me penalitete financiare, kamatvonesa, dëmshpërblime, zbatimin e klauzolës së përfundimit të kontratës, apo zbatimin e çdo klauzole penale apo që aktivizon garancitë, për shkak të mospagimit të qerasë ose të tarifave të qerasë, lidhur me ambientet profesionale dhe tregtare, pavarësisht nga dispozitat kontraktuale dhe atyre të përcaktuara nga kodi tregtar. Kjo dispozitë zbatohet mbi qiratë, pagesa e të cilave duhej bërë nga 12 Marsi 2020 deri në një afat prej 2 muajsh nga data e përfundimit të gjendjes së urgjencës shëndetësore”, shkruan Rama.

Por Rama i bën thirrje opozitës që ta harrojë t’i bëjë Shqipërisë atë që as pandemia nuk është duke ia bërë dot.

“E pra balona tabake që ne quajmë gabimisht opozitë, ta harrojë se i bën dot Shqipërisë atë që as armiku i padukshëm nuk ka për t’ia bërë dot, sepse koha kur ky vend u katandis në balonë tauke nga këta honxhabonxha ka vdekur dhe nuk kthehet më”.

Kreu i qeverisë premton se shumë shpejt do të informojë qytetarët për aktet zbatuese të aktit normativ mbi qiratë./tvklan.al