Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, por ai ka komentuar në një postim atë që e quan kthim në identitet të opozitës.

Sipas Ramës, autorët që e motivuan opozitën për të rikthyer kaosin në seancën plenare janë personazhet e dokumentarit të Rai 3.

Më konkretisht, ai thotë se ata janë një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare, një ish-zv/kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë, një ish-kryeministër në arrest shtëpie dhe një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie.

Ata sipas Ramës u shfaqën si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar, me baltë të eksportuar në Itali nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike të Tiranës.

Ashtu si në videomesazhin e dy ditëve më parë, kryeministri iu kërkon shqiptarëve që t’i bëjnë llogaritë mirë i ti shkatërrojnë ata me votë në zgjedhjet e ardhshme.

Tv Klan