Edi Rama ju prezantoi pensionistëve të Gjirokastrës ambicien për rritjen e pensioneve në mandatit e katërt, plan që sipas tij është konsultuar me ekspertë shumë të mirë vendas dhe të huaj.

“Pensioni minimal të jetë 200 Euro dhe të arrijmë që për të siguruarit të kemi një pension mesatar 400 Euro”, tha Rama.

Kush premton shifrat përtej atyre që socialistët publikojnë, Rama siguron se kanë dy arsye.

“Ose sepse nuk e kanë për gjë të çojnë vendin në humnerë siç e kanë çuar ose pastaj nuk dinë se çfarë flasin dhe thonë “Hajde të kapim ndonjë votë e të shkojmë në parlament”.

Edhe anëtarësimi në BE, sipas tij, rrit shanset për t’ju dhënë më shumë pensionistëve.

E me pensionistët, edhe në komunikimin “Sy m’Sy”, Rama shpjegon dhe njëherë se etiketimet për votuesit e gjinisë mashkullore të opozitës janë metafora.

“Unë e them si metaforë kuptohet, nuk është një raport klinik, se për mua kush shkon në kënetë është gjysmak. Domethënë të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, nuk je mirë je autik politikisht”.

Siguron se opozitën do ta bënte shumë më mirë se ata që e drejtojnë sot dhe shpjegon arsyet përse nuk përballet në debate me kreun e opozitës.

“Me kë të bëj debat, me bufin e kënetës? A je në vete, a s’je në vete? Aq më tepër në kushtet kur bufi i kënetës është në rrëshqitje e sipër”, tha Rama.

Në takimin me gratë e Gjirokastrës, Rama tha se ai është barrikada që i pamundëson opozitës të vijë në pushtet dhe ta kthejë Shqipërinë pas në kohë.

“Se unë jam pengesa mes atyre jush, se po më hoqët mua nga rruga, kthehemi aty ku ishim”, tha Rama.

Ndërsa në Memaliaj kërkoi votën për Shqipërine Europiane, mision të cilin shqiptarët do ia besojnë, siç thotë, vetëm atij dhe Partisë Socialiste në 11 Maj.

Tv Klan