Kryeministri Edi Rama u shpreh i qartë se opozitës nuk do t’i japë sërish shansin e vitit 2017, kur mori gjysmën e qeverisë. Gjatë fjalës në Parlament, Rama theksoi se kryedemokrati Lulzim Basha shkeli zotimin e bërë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se qeveria nuk do të kërkojë asnjë zgjidhje për rikthimin e opozitës në Parlament dhe as nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Pse dolën ata nga Parlamenti? Ata dolën sepse pasi ju mbaruan llafet, vezët, boja dhe bojëdalë tërësisht zgjodhën të ikin në rrugë me idenë që do marrin zvarrë gjithë Shqipërinë, Parlamentin, edhe axhendën europiane të Shqipërisë. Tani thonë po ikim fare dhe po marrim komplet qeverinë. Besojnë se kështu do ta përsërisin në një shkallë më të lartë suksesi historinë e vitit 2017. Po pikërisht se në 2017 ju dhamë mundësinë që të rifuteni në lojë, nuk do t’ja u japim më këtë mundësi atyre.

Sepse ata morën ato që deshën por nuk bënë atë për të cilën u zotuan, dhe konkretisht kryetari juaj, Lulzim Basha, mori zotimin që përkundër Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, drejtorisë së OSHEE, ALUIZNI, thjesht dhe vetëm do të pranonte verdiktin e sovranit, dhe kush do të fitonte do të qeveriste dhe kush do të humbiste do të rrinte në opozitë. Kaq i kërkuam ne. I dhamë gjysmën e qeverisë. Dhe kanë humbur zgjedhjet me qeverinë tuaj të përbashkët. A ka një shqiptar që  mund të besojë se ne që mundëm Saliun, u dashka të blejmë vota për të blerë Lulin? Nuk kemi për t’i hapur rrugë kurrë kësaj zgjidhje. Ata që ikën dhe braktisën detyrën nuk kanë për t’u kthyer këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes një dialogu që çon në një pazar të kësaj natyre. E dyta, zgjedhje të parakohshme nuk ka”,

tha Kryeministri Edi Rama.

Akuzat e Partisë Demokratike dhe opozitës të hedhura për përbërjen e Parlamenti, Rama i konsideron propagandë, teksa pranon se një pjesë e problematikave kanë ekzistuar.

“Parlamenti i Shqipërisë është vendosur në shënjestër, është baltosur, është anatemuar, por e vërteta është se gjithë ajo baltë në pjesën e saj më të madh ishte propagandë. Patjetër që edhe problematikat nuk është se kanë qenë inekzistente”.

Ndërsa deputetëve të rinj të opozitës, Kryeministri u thotë se po sulmohen nga opozita e larguar nga Kuvendi për shkak të xhelozisë.

Ata që dolën nga këtu janë te dera, ata ju anatemojnë juve se janë xhelozë për ju, se dolët më të zgjuar se ata. Ata dolën jashtë dhe tani duan të futen brenda. Kjo është gjëja më e çuditshme. Tani shtyjnë policët që të futen prapë”. /tvklan.al