Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të hënë në seancën parlamentare se opozita përfaqëson sot palën anti-amerikane. Duke i kthyer përgjigje akuzave të deputetit të PD-së, Bujar Leskajt, Rama tha se u desh të vinte PS-ja në pushtet që të kujtonin të persekutuarit në komunizëm. Madje, Rama shtoi se opozita jo vetëm që nuk i kujtoi të persekutuarit, por tha se vendet që mund të shërbenin për kujtim i bënë prona për veten e tyre.

“Ata donin një Shqipëri të orientuar nga Perëndimi jo nga Lindja, nga SHBA, ose më saktë nga anglo-amerikanët dhe jo nga sovjetikët. Ju personalisht përfaqësoni sot palën anti-amerikane në krahun tuaj dhe jeni krenarë në krah të atij që e ngritët si flamur dhe që në vend të logos së PD ka damkën e Departamentit të Shtetit si minues i demokracisë në Shqipëri dhe si korruptues domethënës. Kur mendoj të gjitha këto se si më duket që ju rreshtoni këtu emra të vdekurish në ferrin e komunizmit dhe na kërkoni ne t’ju bashkohemi ju. Jo. Bashkohuni ju me ata. Nëse i respektoni, bashkohuni ju me ata. Dhe kur dilni flisni këtu ose kur ngrini atë flamurin e rreckosur të antiamerikanizmit rrugëve duke thënë e ka Amerika gabim, mendoni çdo thoshte Xhelal Koprencka apo tjetri e tjetri kur të dëgjoni që ju i përmendni emrin atyre. Shko laje gojën mirë një herë për gjithë ato që ke thënë në mbështetje të atij flamurit të rreckosur që doni ta ngrini përsëri mbi çatinë e opozitës në Shqipëri dhe pastaj fol për ata që komunizmi i mori jetën dhe për të cilët unë përulem me respektin e atij që jo thjesht ka detyrë t’i përmendë, e t’i sjellë nëpër gojë, e t’i përdorë për të treguar se sa i dhimbsur është ndaj tyre por që ka detyrë sa të mundet të bëjë gjërat për të cilën ata përfunduan në rrethin e 9 të ferrit komunist. Ta kujtoj prapë, që nga pronat, tek dosjet, tek dëmshpërblimet dhe meqë u fol edhe për kujtesën, edhe për kujtesën, edhe për vendet e kujtesës u desh të vinim ne që t’i kujtonim. Kur ishit ju as që donit t’i kujtonit madje ato që mund të ishin bërë vende të kujtesës, ju i bëtë prona për veten tuaj”, tha Rama./tvklan.al