Kryeministri flet për median franceze: Pas 10 vitesh jemi pjesë e Unionit

Edi Rama bën një parashikim optimist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Edhe pse vetëm për çeljen e negociatave zvarritja e procesit nga momenti i aplikimit për të marrë statusin e vendit kandidat kërkoi 13 vite, në një intervistë për gazetën franceze FranceSoir ai nuk e sheh të pamundur që pas një dekade të jemi anëtarë me të drejta të plota të Unionit.

“Pas 10 vitesh, ndoshta do të jetë në BE, nëse BE mbetet siç është tani. Në fakt, bota sot ndryshon shumë shpejt, mjafton të shihni situatën aktuale. Pa tragjedi, pas 10 vitesh, Shqipëria do të jetë në BE dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë”.

Interesi i gazetarit francez që ka bashkëbiseduar me kryeministrin në rezidencën qeveritare në Dhërmi, ku Rama pushon çdo Gusht që prej 2014, ka qenë i madh për turizmin. Këtë vit disa media franceze kane tërhequr vëmendjen e lexueseve të tyre për bukuritë që të ofron Shqipëria për të pushuar, dhe ndikimi ka qenë jo i vogël duke e dyfishuar numrin e turistëve francezë nga Janari në Korrik. Kryeministri thotë se pas pandemisë Tirana është vendi i dytë më i vizituar në Ballkan.

“Ky vit është surprizues, sepse kemi një numër të paparashikuar turistësh. Për shembull, Tirana ka rezultuar si vendi më i vizituar pas Antaljas, që nga fundi i pandemisë. Këtë nuk e prisnim. Parashikimi ynë ishte 2.9 milion hyrje në Shqipëri, e në fakt deri në fund të vitit do kemi tejkaluar 4 milion. Megjithatë, edhe pse turizmi është një burim të ardhurash i rëndësishëm për t’u shfrytëzuar, sepse vendi ynë ka një potencial shumë të madh, ne duam t’a shfrytëzojmë në mënyrë të mirëmenduar e të arsyeshme për ta zhvilluar vendin pa shkatërruar ato që zotërojmë”.

Ftesën francezëve që ende s’e kanë zbuluar Shqipërinë, Rama gjen rastin ta bëjë përmes gazetës FranceSoir.

“Nëse doni të zbuloni një vend ku një pjesë e të shkuarës është ende e pranishme, ky vend është Shqipëria. Është një udhëtim i vërtetë në të kaluarën, në natyrë, në mikpritje, në gastronomi”.

Kryeministri pohon se veç pushueseve dhe investitorë të rëndësishëm francezë kanë kthyer kokën nga vendi ynë për projekte ambicioze në turizëm. Por ai pohon se ndihmë në këtë drejtim ka dhënë dhe ish-Presidenti Sarkozi pasi i pa nga afër potencialet që të ofron bregdeti shqiptar.

Tv Klan