Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin për paketën anti-shpifje ndaj mediave që po synon ta kthejë në ligj.

Në një reagim në Twitter, shefi i ekzekutivit thotë se liria e shprehjes nuk duhet përdorur për t’u ankuar për mungesën e lirisë.

Kryeministri bën me dije se ditën e nesërme ky projektligj do të kalojë për miratim në Parlament, teksa thekson se prej 1 viti kjo paketë është diskutuar me ekspertë të OSBE.

Kryeministri Edi Rama: “Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin.

Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e @harlemdesir. I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore”. /tvklan.al