“Mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues”

Në një takim me kryebashkiakët e vendit, Kryeministri Edi Rama i ka paralajmëruar se do të kallëzohen në SPAK nëse zyra e Agjencisë së Prokurimit Publik në Kryeministri konstaton shkelje dhe ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik të bashkive.

Gjatë mbledhjes me ta për paketën e re të prokurimit publik, Kryeministri bëri të qartë se nuk do të ketë më gjoba sikurse është vepruar deri më tani, por rastet do të referohen për hetim penal në Prokurorinë Speciale.

“Ju sugjeroj të mos përziheni me proceset e prokurimit publik, mos influcioni me pushtetet tuaja, mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do ketë gjithë mbështetjen time dhe të PS kundër kujtdo ndër ju apo kujtdoqoftë që do luajë me zjarrin”.

Kryeministri solli edhe disa raste të problematikave të procedurave të prokurimit publik në të gjitha bashkitë e vendit.

Ja problematikat kryesore në procedurat e prokurimit publik për 2020-2021. Nga Janari 2020 në Prill 2021 janë asistuar nga Agjencia e Prokurimit Publik plot 1275 procedura të publikuara në SPE nga institucionet bashkiake. Asistenca e APP është asistencë teknike e cila i vjen në ndihmë çdo autoriteti kontraktor që ka vesh për të dëgjuar, sy për të parë dhe tru për të kuptuar. 88.5% e procedurave ka rezultuar me problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye bashkive u janë dërguar rekomandime precize nga APP. 52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimeve teknike të APP. Është fakt se hartimi i kritereve të veçanta, apo qepja me dorë e procedurës së tenderit e cënon direkt shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe drejtësinë e konkurrencës së operatorëve ekonomikë.

Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar, përjashtuese. Nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura për Janar-Prill 2021 dhe gjithë 2020 rezulton se mesatarja e numrit të ofertave është vetëm 2.1. Nga hetimet administrative rezulton se pas hetimit të 136 procedurave të prokurimit janë konstatuar përzgjedhje të pajustifikuara të procedurës me negocim pa shpallje paraprake të kontratës, probleme të fondit limit, kualifikim dhe shpallje fitues nga operatorë ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit dhe janë dënuar me gjobë 156 punonjës dhe masë dipslinoore 602 punonjës. Do kalohet pa ngurrim nga dënimet me gjobë në denoncmiet në SPAK në cdo rast kur shkeljet përbëjnë dyshim shumë të arsyeshëm për tender korruptiv dhe do të jetë kushdoqoftë prej jush, unë shpresoj askush, por jo unë as PS që do shkojë para hetuesve të SPAK për të dhënë shpjegime”, deklaroi Kryeministri Rama. /tvklan.al