Kryeministri Edi Rama paralajmëron masa të reja ndëshkimore për personat që thyejnë masat e vendosura nga qeveria. Ai thotë se të hënën do të bëhet ligj edhe masa e re që mund të të çojë deri në heqje lirie për ata që nuk zbatojnë rregullat.

Kreu i qeverisë paralajmëron se Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë kordonët sanitarë të tregjeve, ndërsa policia e shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja.

“Ushtria dhe Policitë Bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve. Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore!

Masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie! Nëse do të lehtësojmë me pikatore popullin e përgjegjshëm, kokëshkretëve do t’ua bëjmë ferr këtë vijë të shtrembër sjelljeje që na fut në zjarrin e ferrit të gjithëve”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka shpërndarë në profilin e tij foton e disa tregjeve ku qytetarët blejnë në mënyrë të papërgjegjshëm dhe nuk zbatojnë asnjë masë të distancimit social.

Rama thotë se Tirana për momentin është vatra më e rrezikshme e luftës, ndërsa i ngjashëm me kryeqytetin është Durrësi. Shkodrën, kreu i qeverisë, e konsideron një bombë me sahat.

“Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”, shkruan Rama./tvklan.al