“Largimi i Gjiknurit, për të çuar punët në nivel tjetër”

Pa dhënë shumë detaje, në përfundim të mbledhjes dyditore të qeverisë që zhvilloi në Tepelenë, Kryeministri Rama paralajmëroi riorganizim të qeverisë.

“Është diskutuar edhe nevoja për të riorganizuar gjithë procesin qeverisës duke nisur nga vetë organizimi i këtij procesi në godinën e qeverisë.”

Shkarkimi i Damjan Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm tha se nuk ka lidhje me akuzat për përfshirjen e tij në aferën e inceneratorëve. Largimi i gjithë kupolës së sekretariatit ekzekutiv, sipas Ramës është në funksion të nevojës për të çuar në një tjetër nivel Partinë Socialiste.

“Raportin tonë me drejtësinë e kemi bërë të qartë, lëvizja e të gjithë sekretariatit të PS nuk ka të bëjë aspak me çfarë është spekuluar lidhur me Damianin. E ka bërë punën mirë. Lëvizjet tek në bëhen vetëm për arsye të nevojës për ta çuar punën në një nivel tjetër.”

Paralajmëroi ndryshime të mëdha në reformën e arsimit dhe atë të prokurimeve, teksa foli për aplikimin e inteligjecës artificiale në portalin Ealbania dhe atë të bashkëqeverisjes.

“Edhe bashkëqeverisjen do e fusim në këtë proces dhe besoj se brenda vitit do kemi shoqëruesin virtual me zë e figurë. E-Albania do marrësh në Face Time dhe do të komunikosh me e-Albanian.”

Rama ishte optimist kur foli për investimet e huaja në Shqipëri, që sipas tij kanë shënuar një rritje, sikundër edhe fluksi i të huajve që këtë vit kanë zgjedhur bregdetin dhe aplet tona si destinacion turistik.

Tv Klan